TIRANË, 10 dhjetor/ATSH/ – Deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Ferhati komentoi protestën e studentëve, duke i bërë thirrje për dialog në mënyrë që kërkesat e tyre të marrin zgjidhje.
Gjatë një interviste në një nga televizionet informative, deputetja tha se kërkesat e studentëve nuk do të marrin zgjidhje për sa kohë nuk ka dialog.
“Është dialogu ai ku dalin zgjidhjet, madje edhe më të mira se ndoshta ato që mund të kenë propozuar vetë studentët. Por, duhet t’i dimë këto zgjidhje, sepse janë 6 kërkesa nga studentët të cilat kanë ndryshime midis tyre. Pra, njëra shkresë ka 6 pika, tjetra 8, tjera 12 pika. Ne duhet të kuptojmë njëherë se cila është sëmundja që më pas të gjejmë ilaçin. E rëndësishme në këtë moment është që të kuptojmë që ka një vullnet të mirë, ka përgjegjshmëri nga ana e qeverisë shqiptare dhe kryeministrit për t’i dhënë zgjidhje problemeve të studentëve. Por, nuk mund t’i zgjidhim këto probleme nëse nuk ulemi e të flasim me njëri-tjetrin. Unë mendoj që ka një mungesë artikulimi të një zëri të atyre që janë vërtet pjesa e shëndoshë e asaj proteste, e atyre që janë vërtet studentë që kanë shqetësime dhe halle dhe nuk duan që t’i përziejnë këto shqetësime me asnjë element tjetër. Por, është e nevojshme që kjo pjesë e shëndetshme të gjejë rrugën drejt dialogut dhe komunikimit, në mënyrë që të gjejë edhe atë që kërkon, zgjidhjen”, – tha ndër të tjera deputetja.
Megjithatë, Ferhati nuk harroi të komentonte dhe faktin që sipas saj, ka njerëz që u intereson që kjo protestë të kthehet në një krizë politike.
“Për sa kohë që ekziston vullneti i mirë politik, për sa kohë që ekziston përgjegjshmëria e kësaj mazhorancë dhe e kryeministrit për t’u ulur në tryezë dialogu për të gjetur zgjidhjet, pa diskutim që për kauza të drejta gjithmonë ka zgjidhje të duhura. Sot duhet të ndajmë kauzën e drejtë dhe protestën reale të studentëve që është një shqetësim që duhet adresuar dhe gjetur zgjidhje nëpërmjet dialogut, me rryma që nuk po mungojnë që po përpiqen ta përdorin kauzën e studentëve për përfitime politike. Njerëz që u intereson që kjo protestë të kthehet në një krizë politike. Por, ne na intereson që t’i japim zgjidhje dhe drejtim, të gjejmë rrugën më të mirë për plotësimin e kërkesave të studentëve nëpërmjet dialogut të shëndetshëm”, – theksoi ajo.
Sipas deputetes, mes studentëve ka nga ata që janë të përfshirë me eksponentë politike. “Ne kemi parë në media edhe eksponentë të forcave politike të opozitës apo përfaqësues të atyre që janë në protestë dhe ndërkohë që thonë që protesta nuk duhet të jetë politike, nga ana tjetër fotot e tyre me eksponentë të politikës janë bërë të njohura për publikun”.
Ajo ka argumentuar se “sa i takon reformës në arsim, është një nga ato reformat për të cilat kjo mazhorancë është votuar më së shumti, sepse pavarësisht se tema e ditës sot është protesta e studentëve, ne kemi tashmë me arsimin e lartë në Shqipëri, ku e ku me si e gjetëm në 2013. Sot në bazë të sistemit arsimor në Shqipëri, merita është kryesorja, studentët që janë më të mirë vazhdojnë studimet e larta. Sot kemi pavarësi të plotë të universiteteve, diplomat shqiptare sot kanë vlerë jo si dje që askush nuk i njihte. Në 2013 vetëm 1 universitet ka qenë i akredituar në Shqipëri, sot kemi mbi 60% të tyre dhe akreditim po bëhet nëpërmjet konsulencës më të shquar të huaj. Sigurisht, investimet në konvikte 18 milionë euro kanë vlerë për përmirësimin e kushteve të studentëve”, -përfundoi ajo.
z.tosku/ /a.g/






















