ARRSH: Ditën e sotme u krye vlerësimi për 17 objekte me dokumente pronësie

TIRANË, 26 nëntor /ATSH/ – Autoriteti Rrugor Shqiptar, njofton se ditën e sotme u kryen vlerësime për 17 objekte me dokumente pronësie në “Unazën e Madhe të Tiranës” në segmentin që do të rindërtohet në zonën e “Astirit”.

“Në kuadër të projektit për rehabilitimin e Unazës së Madhe të Tiranës, segmenti nga Pallati me Shigjeta tek sheshi Shqiponja, Autoriteti Rrugor Shqiptar ishte sot në terren për vlerësimin real dhe korrekt të banesave të atyre që kanë depozituar tanimë dosjet dhe dokumentet e pronësisë pranë këtij institucioni”.

“Gjatë ditës së sotme, u bë e mundur që në të tre lotet të kryhet verifikimi i 17 objekteve, ose thënë ndryshe 31% e totalit të atyre që deri më tani kanë dorëzuar dokumentet në ARRSH”.

ARRSH, bën me dije se “në ditët e ardhshme do të vazhdojë ky proces verifikimi për të gjithë banorët që kanë depozituar dosjet pranë këtij institucioni. U bëjmë thirrje edhe banorëve të tjerë që disponojnë dokumente pronësie t’i depozitojnë ato sa më shpejt pranë zyrave përkatëse në Autoritetin Rrugor në mënyrë që të vazhdohet pa vonesa me vlerësimin, evidentimin, bërjen gati të Vendimit të Këshillit të Ministrave për procedurën e shpronësimit të tyre”.

ARRSH sqaron se “procesi i verifikimit dhe vlerësimit të pronave për procedurën e shpronësimit është një detyrim ligjor i Autoritetit Rrugor Shqiptar. Rrjedhimisht, çdo përpjekje për të penguar këtë proces përbën pengim të punonjësve shtetërore në ushtrimin e detyrës ashtu sikurse mohim të të drejtës së pronarëve të objekteve për vlerësimin e shpronësimin e drejtë të tyre”. Mbyll njoftimin Autoriteti Rrugor Shqiptar. /o.l/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.