TIRANË, 1 nëntor /ATSH-Gjergji Mima/ – Një projekt rreth 7 milionë euro do të bëjë të mundur vendosjen e një linje transporti multimodal mes Portit të Barit, portit të Shëngjinit dhe portit të Barit në Malin e Zi, duke shfrytëzuar hapësirën adriatike dhe duke bërë ndërlidhjen me liqenin e Shkodrës dhe lumit Buna gjë që do të zhvillojë zonën përreth.
Gjithashtu vendosja e një transporti liqenor nëpërmjet molit të Virpazarit në Malin e Zi, në molin e Zogajt, Shirokës do të krijojë një mundësi që liqeni të jetë gjithashtu më i rivitalizuar se sa është sot për sot.
Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati duke folur sot në Kuvend gjatë shqyrtimit të projektligjit “për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Malit të Zi për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Zogaj (Republika e Shqipërisë) – Skje (Mali i Zi) për qarkullimin ndërkombëtar rrugor dhe të pasagjerëve në Liqenin e Shkodrës”, u shpreh se kjo pikë kalimi kufitar do të lehtësojë jo vetëm qarkullimin e njerëzve, po mbi të gjitha ndërlidhjen e trevave shqipfolëse.
“Këshilli Ministrave sjell sot në Kuvend për miratim një marrëveshje të rëndësishme përsa i përket pikës së kalimit kufitar Zogaj-Skje, e cila u miratua në 3 korrik ndërmjet qeverive tona, qeverisë së Shqipërisë dhe Malit të Zi”, tha Bushati.
“E para qeveri e cila vendosi praktikën e mbledhjeve të përbashkëta me gjithë fqinjët, duke filluar me Kosovën në 2014, për të vazhduar më pas me Maqedoninë dhe Malin e Zi, ku ne diskutojmë gjithë agjendën e ndërlidhjes ekonomike, infrastrukturore e mbi të gjitha njerëzore të rajonit tonë”, tha Bushati.
“Flasim për një ndërlidhje mes Shirokës, Zogajt dhe Malësisë së Krajës, apo pjesës së Tivarit, ku përgjithësisht jetojnë shqiptarë dhe është një zonë e cila ka ende mundësi për tu shfrytëzuar pozitivisht për sa i përket potencialit të turizmit, po mbi të gjitha dhe në kuadër të bashkëpunimit që agjenci të ndryshme turistike kanë ndërmjet dy anëve të kufirit për të shfrytëzuar paketa dhe oferta turistike të përbashkëta për turistë që dëshirojnë të vizitojnë këtë pjesë të Europës. Pra, në këtë kontekst e gjithë pjesa e liqenit të Shkodrës do të mbulohet dhe do të krijohet një akses shumë më i madh jo thjesht për banorët e zonave përkatëse po dhe për ata turistë që dëshirojnë të vizitojnë Shqipërinë dhe Malin e Zi”, u shpreh ministri Bushati.
“Elementi i dytë dhe më i rëndësishëm, përtej asaj çka kemi rënë dakord me Malin e Zi ka të bëjë me zhvillimin e zonës. Kemi rënë dakord në kuadër të programit tripalësh Shqipëri-Mali i Zi – Itali, që mbështetet nga fondet e BE për një projekt rreth 7 milionë euro i cili do të ketë dy objektiva specifikë: E para, vendosjen e një linje transporti multimodal mes Portit të Barit, portit të Shëngjinit dhe portit të Barit në Malin e Zi, sepse bëhet fjalë për hapësirën adriatike dhe ndërlidhjen me liqenin e Shkodrës dhe lumin Buna. Dhe së dyti, vendosjen e një transporti liqenor nëpërmjet molit të Virpazarit në Malin e Zi, në molin e Zogajt, Shirokës për të krijuar një mundësi që liqeni të jetë gjithashtu më i rivitalizuar se sa është sot për sot. Ky është një projekt i cili fillimisht do të fokusohet vetëm te transporti i udhëtarëve për ti krijuar mundësi qytetarëve për të lëvizur më shpejtë, në mënyrë më komode dhe nga ana tjetër për t’i krijuar mundësi vizitorëve të huaj për të pasur turizmin ditor qoftë në Malin e Zi apo në Shkodër në pjesën e liqenit dhe me perspektivë, në fazën e dytë dhe të tretë kjo do të shkojë dhe në pjesë që kanë lidhje me Shëngjinin, Velipojën dhe lumin Bunë”, – theksoi Bushati.
Bushati theksoi angazhimin e qeverisë për “një dimension më të fortë ndër rajonal, ndërkufitar jo vetëm me Malin e Zi dhe me këtë pikë të kalimit kufitar, po siç do të diskutojmë dhe tek marrëveshja IPA që do të miratojmë, shpresoj sot, në Kuvend me Malin e Zi, ka disa projekte të tjera të rëndësishme të cilat janë në funksion të ndërlidhjes së qytetarëve zhvillimit të infrastrukturës mes vendeve tona që flasin qartë për një qasje progresiste të qeverisë tonë dhe politika që e kanë qendrën e vëmendjes tek qytetarët”. /j.p/
























