Ballina Aktualitet

Investimet që transformojnë jugun, lungomare edhe në Radhimë

TIRANË, 1 shtator/ATSH-Maela Marini/ – Transformimi i gjithë vijës bregdetare të Radhimës në një vijë për këmbësorët dhe krijimi i një minibypass-i, një rrugë tjetër e re me gjatësi prej 7 km, është projekti i radhës i qeverisë në Vlorë.

Duke folur për projektet që do të zbatohen në Vlorë, Kryeministri Edi Rama u ndal te projekti që kthen rrugën ekzistuese të Radhimës në rrugë këmbësore si lungomare.

Po bëhemi gati, tha ai, për vazhdimin e projektit nga tuneli deri në Orikum, ndërsa më tej vazhdohet paralelisht me segmentin Orikum-Llogara, rruga që lidhet me bypass-in e ri të Vlorës.

Kryeministri foli për një tjetër projekt i cili nis së shpejti nga zbatimi, siç është vazhdimi i Lungomares nga pika ku mbaron aktualisht deri te tuneli.

Po ashtu, Rama u ndal te projekti i rrugës që lidh Kuçin me pjesën poshtë të bregdetit.

“Do të bëhet në Himarë një lidhje e re që afron edhe Nivicën në një kohë shumë të shkurtër dhe i jep akses prodhimeve bujqësore dhe blegtorale”, – tha Rama.

Segmentet e tjera të rrugës së Lumit të Vlorës që janë me financim të huaj, sipas Ramës, kanë procedura më të komplikuara. “Garat janë mbyllur për dy segmentet e tjera dhe pritet të fillojë puna”, – tha ai.

Një vlerë e shtuar në sezonin e ardhshëm turisitik, sipas Ramës, do të jetë edhe bulevardi i ri i Vlorës. /e.caushi/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakInvestimi në nënstacionin e Orikumit përmirëson furnizimin me energji në bregdet
Artikulli tjetërNë vjeshtë, projekt për përmirësimin e furnizimit me ujë të bregdetit të jugut