TIRANË, 28 gusht/ATSH/ Kuvendi shpalli sot listën e kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese.
Kuvendi njofton se, 7 kandidatë kanë paraqitur aplikimet pas shpalljes nga ky institucion (25.7.2018), të hapjes së procedurave të aplikimit për vendin vakant për gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, që do të zgjidhet nga Kuvendi.
Konkretisht për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese kanë aplikuar Elsa Toska, Fiona Papajorgji, Ilir Panda, Sinan Tafaj, Theodhori Sollaku, Valbona Bala dhe Vasil Bendo.
Lista e kandidatëve bashkë me dokumentacionin përkatës për secilin kandidat do t’i përcillet Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Me qëllim plotësimin e “vakancës së parakohshme” të krijuar për shkak të mbarimit para afatit ligjor të mandatit të Fatos Lulos, Kuvendi shpalli në 25 korrik hapjen e procedurës së aplikimit për vendin vakant për anëtar të Gjykatës Kushtetuese.
Lulo u shkarkua në mars të këtij viti nga KPK në kuadër të Vetting-ut, pasi nuk justifikonte pasurinë, duke e lënë aktualisht Gjykatën Kushtetuese vetëm me 2 anëtarë, me kreun e saj Bashkim Dedja dhe Vitore Tushën, që e kaluan me sukses procesin e Vetting-ut.
/m.m/j.p/






















