Ballina Aktualitet

Mesi: Reforma në drejtësi përshpejton anëtarësimin në BE

TIRANË, 14 gusht/ATSH/ Qeveria shqiptare është e angazhuar për të reformuar njëherë e përgjithmonë sistemin e drejtësisë pasi vetëm një drejtësi e re do të mund të përforcojë demokratizimin, zhvillimin dhe përshpejtojë anëtarësimin në BE.

Kështu konfirmoi sot, zv/Kryeministrja Senida Mesi, gjatë një takimi me zyrtarë të lartë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), me të cilët diskutoi mbi proceset aktuale që prekin jo vetëm Shqipërinë, por edhe rajonin.

Mark Pritchard, Përfaqësues i Posaçëm i OSBE-së për Europën Juglindore, u interesua në mënyrë të veçantë për procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe ecurinë e reformave thelbësore si ajo në drejtësi.

Mesi konfirmoi angazhimin maksimal të qeverisë shqiptare për procesin e integrimit dhe realizimin me sukses të procesit parapërgatitor që tashmë ka nisur me Komisionin Europian.

Sa i takon reformës në drejtësi, Mesi u konfirmoi përfaqësuesve të lartë të OSBE-së se procesi i Vetingut po ecën dhe ka dhënë tashmë rezultatet e para, por natyrisht që duhet thelluar dhe përshpejtuar në të ardhmen.

“Ndërtimi i strukturave të tilla si SPAK apo Byroja Kombëtare e Hetimit janë hapa të tjerë thelbësore që Shqipëria duhet të plotësojë deri në vendimin e qershorit 2019”, u shpreh  Mesi.

Në kuadër të bashkëpunimit rajonal, Mesi u shpreh se Shqipëria është vlerësuar nga partnerët ndërkombëtarë për rolin e saj konstruktiv në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në rajon dhe për kontributin e saj në stabilitetin e rajonit.

Me besimin që vendet duhet të punojnë për një fqinjësi të mirë dhe produktive, Mesi shprehu gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të vazhduar rolin e vendit tonë si promovues i sigurisë dhe bashkëpunimit rajonal.

Ajo nënvizoi gjithashtu se perspektiva e anëtarësimit në Bashkimin Europian (BE) ka ndihmuar rajonin të tejkalojë konfliktet e së kaluarës dhe gradualisht të ndërtojë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë.

“Në sajë të proceseve të tilla si ai i Berlinit dhe iniciativave të tjera rajonale, tashmë kemi një rrjet të mirëfilltë të bashkëpunimeve multilaterale në rajon çka i kanë sjellë edhe më afër vendet me njëra-tjetrën dhe ka përforcuar gjithëpërfshirjen”, u shpreh Mesi.

Në lidhje me Kosovën, Mesi u shpreh besimplotë për dialogun Kosovë – Serbi të drejtuar nga Bashkimi Europian dhe theksoi se propozimi i Komisionit Europian për liberalizimin e vizave është një lajm shumë i mirë për Kosovën dhe se vendi ynë mbetet në pritje të një vendimi pozitiv të Këshillit dhe Parlamentit Europian. /m.m/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakLONDËR – Antiterrori udhëheq hetimin e sulmit ndaj Parlamentit, dyshohet për akt terrorist
Artikulli tjetërPas MTV Europe Music Awards, Rita Ora në moderimin e një tjetër eventi