PRISHTINË, 8 gusht/ATSH/- Ura e autostradës “Arbën Xhaferi”, më piktoreskja dhe më e gjata në rajon, do të transfromojë rrënjësisht këtë rajon dhe drejtimin për në Pikën e Kalimit Kufitar të Hanit të Elezit, që lidh Kosovën me Maqedoninë.
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, bashkë me deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, vizituan sot këtë, një investim përmes të cilit qytetarë dhe biznese do të përfitojnë për të zhvilluar ekonominë e tyre shumë herë më të shpejt dhe më cilësisht se më parë.
“Ky është investim më i madh i ndodhur në Republikën e Kosovës”, theksoi Lekaj duke garantuar se investime të tilla do të ketë edhe me tej, për të ndërtuar Kosovën që duam të gjithë.
Ministri Lekaj tha se “investimet e këtij lloji, mundësojnë integrimin rural e urban të Kosovës, por mbi të gjitha po bëhemi epiqendër moderne e lidhjes se korridoreve ndërkombëtare”.
Autostrada “Arbën Xhaferi” është rreth 65 kilometra e gjatë. Në ketë projekt, janë të angazhuar mbi 3000 njerëz, rreth 80 % janë personel vendas; 344 kompani lokale, në shërbim dhe ndërtim; 80% e buxhetit të kuotuar në këtë projekt do t’i rikthehet prapë GDP’s vendore.
Ura nga Kaçaniku deri në Han të Elezit është rreth 6 kilometra. Në të do të vendosen mbi 1400 trare të prodhuara në vend, në dimensione nga 35 deri në 45 metër.
Në këtë urë janë vendosur deri tani rreth 165 shtylla, lartësia e të cilave varion nga 3 metra deri në 80 metra, është hedhur mbi 147 mijë metër kub beton./k.s/
































