PRISHTINË, 7 gusht/ATSH/- Kryetari Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, priti sot në takim kryetarin e komunës së Bujanocit, Shaip Kamberin me të cilin diskutuan rreth zhvillimeve të fundit që prekin komunat e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit.
Ky takim erdhi si vazhdim i tryezës për të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, të cilën e organizoi Lëvizja Vetëvendosje në Kuvendin e Republikës së Kosovës në fund të muajit korrik, bën të ditur Lëvizja Vetëvendosja.
Kurti e informoi Kamberin rreth diskutimeve që kishte Kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje në mbledhjen e saj të djeshme rreth zhvillimeve të fundit që prekin komunat e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit.
Ai e konsideroi jo të përshtatshme dhe të rrezikshme shprehjen “korrigjim i kufijve” të Presidentit Thaçi, meqenëse korrigjim i kufijve do të thotë korrigjim aty-këtu i ndonjë hapësire të vogël me ndonjë fshat, zabel a kodrinë, por jo përfshirje e një krahine të tërë siç është zona e komunave të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, e që duhet të trajtohen si tërësi dhe jo të ndara nga njëra-tjetra.
Kreu i Vetëvendosjes theksoi se “respektimi i referendumit të vitit 1992 është zgjidhja e vetme e drejtë duke shtuar se Serbia duhet që ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe të paguajë për dëmet e shumta të luftës dhe okupimit”.
Të dy palët u pajtuan për kontakte, komunikim, takime e bashkëpunim të vazhdueshëm./k.s/























