https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155971634816523/
TIRANË, 20 korrik/ATSH/-Kryeministri i vendit, Edi Rama ka zgjedhur të urojë ditë të mbarë të gjithë ndjekësit e tij në rrjetin social “Facebook”, përmes pamjeve nga ekspozita e çelur nga fotografi francez, që sjell vitet 1981-1991 në Qendrën për Hapje dhe Dialog.
Kryeministri Rama e ka konsideruar të jashtëzakonshme ekspozitën, ndërsa ka thënë se kjo e fundit do të qëndrojë e hapur deri në fund të verës. Ai e ka shoqëruar postimin e tij edhe me një video me pamje nga ekspozita.
“MIRËMËNGJES, dhe me këtë kujtesë për një ndër ekspozitat më të jashtëzakonshme që janë bërë ndonjëherë në Shqipëri, e cila gjatë gjithë verës do të jetë e hapur për publikun në mjediset e Kryeministrisë (COD – hyrja qendrore), ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Për herë të parë 99 foto nga Shqipëria e viteve 1981 – 1991 vijnë për publikun kryeqytetas në COD. Fotografi francez Michel Setboun e ka vizituar disa herë Shqipërinë: gjatë diktaturës, kur diktatura ra dhe gjatë tranzicionit demokratik të vendit.
Ndërkaq, Michel Setboun, konsiderohet si një ndër fotoreporterët më të rëndësishëm ndërkombëtarë për Shqipërinë dhe një nga dokumentuesit më këmbëngulës të historisë së Shqipërisë nga viti 1981 e në vazhdim, pasi mbetet thuajse i vetmi fotograf i huaj, që ka mbërthyer me aparatin e tij, si askush tjetër e në mënyrë të vazhdueshme, gjatë gati katër dekadave të fundit gjithë zhvillimin politik, shoqëror dhe kulturor të vendit skaj më skaj.
Arkivi fotografik mbi Shqipërinë ka mijëra fotografi dhe është i një rëndësie të veçantë, si historike ashtu edhe artistike. Ekspozita do qëndrojë e hapur për publikun deri më 2 shtator.
z.tosku /a.g/






















