Ballina Aktualitet

Voskopoja, histori suksesi në agroturizëm

TIRANË, 30 qershor/ATSH-Maela Marini/ – Voskopoja është një histori suksesi e bërë vetë nga sipërmarrja familjare dhe investitorët privatë.

Kështu deklaroi sot ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, në takimin e organizuar në Voskopojë në kuadër të programit “100 fshatrat”.

Voskopoja, tha ai, ka shtretër sa Berati, një nga qytetet e UNESCO-s.

“Voskopoja ka rreth 500 shtretër dhe numri i bujtinave shtohet nga muaji në muaj. Potenciali për të shumëfishuar ekonominë është shumë i madh, nëse kombinohen të gjithë aktorët”, – tha Peleshi.

Duke u ndalur te financimet e qeverisë në mbështetje të agroturizmit, Peleshi tha se “kemi hapur 2.5 milionë euro thirrje nga Agjencia jonë e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, deri në 15 korrik”.

“Thirrja është për bujtina dhe hotele të vogla të agroturizmit. Për bujtinat financojmë deri në 15 milionë lekë të vjetra, ndërsa për hotelet deri në 100 milionë lekë”, – tha Peleshi.

Deri më sot, shtoi ministri, nuk ka asnjë histori të dështuar agroturizmi në vendin tonë.

Certifikimi i prodhimeve bujqësore, sipas tij, do t’i japë akses në treg me vlerë të shtuar prodhimeve tona tipike.

Ndërkohë, Peleshi theksoi se, “po ndërtohet edhe një rrjet i dyqaneve në gjithë Shqipërinë të prodhimeve tipike me logon e ‘E dua'”. /r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“100 fshatrat”, Peleshi: 100 akupuntura për të prekur nervin e zhvillimit
Artikulli tjetërPërfundon ndërhyrja e plotë në autostradën Tiranë-Durrës, Qendro: Rritet siguria