Ballina Aktualitet

“100 fshatrat”, Peleshi: 100 akupuntura për të prekur nervin e zhvillimit

TIRANË, 30 qershor/ATSH-Maela Marini/ – Projekti “100 fshatrat” synon të ndërtojë 100 akupuntura për t’i ngulur në trupin e Shqipërisë dhe për të prekur nervin e zhvillimit.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi deklaroi të shtunën nga Voskopoja se programi “100 fshatrat” është një iniciativë jo thjesht në formën e një thirrjeje patriotike për të zhvilluar hapësirën rurale.

Sipas Peleshit, ky është një program i madh kombëtar, ku ka vend dhe krijohen mundësi për të gjithë.

Ne, tha Peleshi, synojmë të ndërtojmë modele të integruara zhvillimi, që do të fillojnë të reflektojnë vetvetiu edhe në pjesën tjetër të territorit.

“Qeveria shqiptare ka misionin e saj për të siguruar mirëqenie si në qytet, edhe në fshat, për të krijuar mundësi dhe kushte jetese më të mira. Në hapësirën rurale të Shqipërisë, në pothuaj 90 për qind të sipërfaqes së vendit, ku jeton gjysma e shqiptarëve ka mundësi dhe potenciale të pashpërthyera për biznes”, – tha Peleshi.

Misioni për të zhvilluar hapësirën rurale nuk është një mision i ri i qeverisë sonë, vijoi ministri, duke shtuar se “të gjitha qeveritë e kanë patur si mision, por ne besojmë se është gabuar në të kaluarën me thërrmimin e fondeve”.

“Në të kaluarën ka qenë një program rural për rrugë e ujësjellësa ruralë. Qindra milionë euro janë thërrmuar në tërë territorin e Shqipërisë dhe askush nuk di sot ndonjë vepër të asaj kohe”, – tha Peleshi.

Ashtu sikurse mandatin e kaluar, kur qeveria u përqendrua me një qasje të caktuar në qytet përmes Rilindjes Urbane, Peleshi tha se “këtë vit kemi një fokus të posaçëm te Rilindja Rurale me programin ‘100 fshatrat'”.

Duke u ndalur te vizioni në përzgjedhjen e 100 fshatrave, Peleshi tha se, “nga mbi 3500 fshatra që ka Shqipëria, u përzgjodhën 100, duke e patur shumë të qartë se nuk po ndërtojmë një hartë dhe listë të fshatrave me nevoja për më shumë investime publike, por të fshatrave me më shumë potencial”.

“Dallimi me si është vepruar deri dje me zhvillimin rural është se ne po kalojmë në një qasje të integruar, ndaj dhe kemi seleksionuar një numër fshatrash, aq sa na mban takati financiar”, – tha Peleshi. /r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“100 fshatrat”, zbulim domethënës i vlerave të Voskopojës
Artikulli tjetërVoskopoja, histori suksesi në agroturizëm