GJERMANI – Berlini: Ambasadori amerikan të sqarojë deklaratat për konservatorët

BERLIN, 4 qershor /ATSH-AFP/ – Gjermania i kërkoi sot ambasadorit amerikan në Berlin, një i besuar i Donald Trump, shpjegime pasi kishte deklaruar se kërkonte të mbështeste konservatorët në Europë në një intervistë për portalin e ekstremit të djathtë ”Breitbart”.

“Berlini ka kërkuar sqarime”, deklaroi një zëdhënës i Minitrisë së Punëve të Jashtme duke shtuar se Richard Grenell, në këtë post që prej të paktën një muaji, kishte rastin të shpjegohej gjatë një interviste, të parashikuar kohë më parë, me një sekretar shteti në ministri, Andreas Michaelis, këtë javë.

Sipas intervistës së dhënë për ”Breitbart”, publikuar dje, diplomati deklaron se ishte kontaktuar nga shumë konservatorë në të gjithë Europën, që i kanë shprehur ndenjat e tyre për një rishfaqje të kësaj lëvizjeje politike, nxitur nga dështimi i politikave të majta.

“Dëshiroj të mbështes konservatorë të tjerë kudo në Europë, zyrtarë të tjerë”, shtoi ai, një deklaratë e pazakontë e bërë nga një ambasador që synon të jetë neutral.

“Mendoj se zgjedhja e Donald Trump ka mundësuar për njerëzit të thonë se nuk mund ta lejojnë klasën politike të përcaktojë se cili do të fitojë apo cili do të jetë kandidat para zhvillimit të zgjedhjeve”, ka theksuar ai.

Deklaratat kanë shkaktuar shumë pakënaqësi në Gjermani.

“Qytetarët europianë nuk kanë nevojë që një vasal i Trumpit t’u thotë për kë të votojnë”, ka reaguar deputeti social-demokrat gjerman, Thorsten Schafer-Gumbel në një postim në Tweeter./ /ec/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.