PRISHTINË, 23 Maj/ATSH/.- Kosova ka arritur që përmes dialogut të Brukselit të vendosë drejtësi dhe kufirin në pjesën veriore, duke kthyer autoritetet shtetërore në atë pjesë.
Kështu deklaroi ish-negociatorja në dialogun Kosovë-Serbi, Edita Tahiri në konferencën ”Fuqizimi i Grave në Politikë”, organizuar nga Qendra për Trajnime dhe Studime Gjinore, ku u fol për rëndësinë e rolit të gruas në jetën politike.
Tahiri tha se dialogu në Bruksel ka qenë shumë i përfolur dhe ka pasur suksese të shumta ku Kosova ka arritur ta shtrijë sovranitetin me institucionet e saj shtetërore në veri, të cilat nuk kanë qenë përpara dialogut.
“Ky dialog i shumëpërfolur, me paradokse dhe kundërshti ka arritur suksese të mëdha me integrimin e pjesës veriore të Kosovës në sistemin shtetëror, juridiko-kushtetues të Kosovës. Ka arritur që Kosova të shtrijë sovranitetin në pjesën veriore me institucionet shtetërore, që nuk kanë qenë para dialogut”, theksoi Tahiri.
Ish-negociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë vlerësoi se për një paqe të qëndrueshme gratë duhet të kenë një rol qendror në pozita udhëheqëse, por edhe në nivelet e tjera.
Tahiri tha se me vendosjen e saj në krye të negociatave me Serbinë, Kosova ka dhënë një shembull shumë të mirë për rëndësinë e rolit të femrës në çështje të mëdha.
“Besoj se në të ardhmen ky raport ndryshon, sidomos në fazën finale të këtij dialogu të Brukselit, ku pritet të finalizohet me njohjen reciproke mes dy shteteve. Paqen e kemi, por për të arritur paqen e qëndrueshme, kemi shumë punë, deri te pajtimi mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë kemi shumë punë”, tha Tahiri.
Ndërsa këshilltari i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Driton Lajçi, tha se dialogu Kosovë-Serbi është i rëndësishëm për harmoninë ndëretnike, ndërsa bëri thirrje që të shtohet bashkëpunimi mes shqiptarëve dhe serbëve.
“Komunikimet dhe marrëdhëniet tona me serbët është gjithashtu i një rëndësie të veçantë. Prandaj ne nga perspektiva jonë, inkurajojmë bashkëpunim ndërmjet universiteteve, organizatave rinore dhe studentore, mësimin e gjuhës së njëri-tjetrit, heqja e paragjykimeve të cilat janë ndër kundërshtarët tonë më të mëdhenj”, tha Lajçi.
Ai foli edhe për rrugën e integrimit në BE, ku tha se kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, mbetet i përkushtuar që Kosova të përmbushë rekomandimet që dalin nga raporti i progresit të Komisionit Europian.
Carmen Meyer, drejtoreshë e CFD-së, theksoi se nuk ka mundësi të ketë paqe pa pjesëmarrje të barabartë.
Ndërsa këshilltarja e shefes së Zyrës së BE-së, Annette M. Fath-Lihic, u shpreh e pakënaqur me numrin e ambasadoreve gra që ka BE, duke thënë se kjo lë për të dëshiruar./KosovaPress/k.s/






















