ABU DHABI, 8 maj /ATSH/ – Një delegacion nga Fondi për Zhvillim i Abu Dhabit (ADFD), entiteti kombëtar për fondet ndihmë për zhvillim, mori pjesë në inagurimin e dy prej projekteve të financuara nga ai në Tiranë me një vlerë prej 65,3 milionë dollarë, shkruan faqa e internetit e dedikuar për biznesin “Arabian Business”.
Mohammed Saif Al Suwaidi, drejtori i përgjithshëm i ADFD-së deklaroi se “që prej vitit 2013, marrëdhëniet strategjike të ADFD-së me qeverinë Shqiptare janë rritur gjithnjë e më shumë, ndërkohë që fondi ka financuar tre projekte strategjike në Shqipëri”.
“Me inagurimin zyrtar të dy projekteve të financuara nga ADFD-ja, Reabilitimin e Lumit të Tiranës dhe Bulevardi Verior i Tiranës, ne shënojmë një hap të rëndësishëm në mbështetjen e Shqipërisë për të arritur prioritetet e saj për zhvillim”, theksoi ai duke shtuar se nga këto projekte kanë përfituar një shtresë e gjerë e popullsisë nëpërmjet krijimit të mundësive të reja për punësim dhe duke stimuluar sektorë të ndryshëm të ekonomisë.
Projekti i fokusuar në zhvillimin e infrastrukturës përreth Bulevardit Verior të Tiranës synon të tërheqë investime, turistë dhe tregti. /G.S/






















