Ballina Aktualitet

Bushati: E shkuara, e tashmja dhe e ardhmja; së bashku drejt BE

TIRANË, 8 maj /ATSH/ Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme dhe Delegacioni i BE-së në Shqipëri zhvilluan Konferencën: “Së bashku drejt Bashkimit Europian: Njohja e përvojës së shkuar dhe krijimi i partneriteteve për të ardhmen”.

Konferenca e konceptuar në dy panele: “Njohja e përvojës së shkuar” dhe “Krijimi i partneriteteve për të ardhmen”.

Në fjalën e tij, ministri Bushati nënvizoi se për Shqipërinë projekti europian është në thelb një projekt bashkimi brenda vetes. Sipas tij, projekti europian është projekti, të cilin shumica dërrmuese e shqiptarëve e shohin si projektin e paqes, sigurisë, mirëqënies, por mbi të gjitha e shohin si projektin e një qeverisje demokratike për ta.

Për kreun e diplomacisë shqiptare projekti europian përkon jo vetëm me modernizimin dhe transformimin e shoqërisë sonë, por edhe me konsolidimin e identitetit tonë europian si komb. Ish-ministrat e shtetit për integrimin dhe ish-ministra integrimi të ftuar në këtë tryezë, si Sokol Nako, Paskal Milo, Ermelinda Meksi, Majlinda Bregu dhe Klajda Gjosha diskutuan mbi përvojën e tyre në rrugën e Integrimit europian dhe ndanë bindjen se ky proces është i rëndësishëm për të gjithë shqiptarët, përtej çdo përkatësie politike. Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme nisi sot diskutimin me përfaqësues të shoqërisë civile të Platformës së Partneritetit për anëtarësimin në BE. Ky është një hap i parë në serinë e aktiviteteve të shumta që do të ndërmerren për të garantuar pjesëmarrjen e qenësishme të të gjithë aktorëve në këtë proces. MEPJ synon që kjo platformë të garantojë vijimësi, gjithëpërfshirje dhe përgjegjësi përtej binomit qeveri-opozitë. /m.z//r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGrabitja e postës së Prokurorisë, akt i rëndë
Artikulli tjetërInvestitorët arabë kthejnë sytë nga Tirana