TIRANË, 8 maj /ATSH/ Në një deklaratë për shtyp deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj tha se, “grabitja e postës sekrete në Prokurorinë e Durrësit është një nga aktet më të rënda dhe të paprecedentë në të gjithë historinë e shtetit shqiptar”.
“Nuk ka ndodhur kurrë më parë, as në momentet më kritike të vendit, që të grabiten dokumente sekretë as natën dhe as ditën. Grabitja e materialeve sekrete për Prokurorinë e Durrësit është dështimi më i madh i rënies së shtetit përballë krimit”, tha ai.
“Partia Demokratike i kërkon Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme dhe Policisë së Shtetit të informojë menjëherë publikun se çfarë përmbante posta sekrete, kush ishte në dijeni të dokumenteve dhe cili ishte institucioni marrës dhe dërgues. A ka lidhje posta sekrete e grabitur me hetime për kryetarin e bashkisë së Durrësit, Vangjush Dakon? A ka lidhje posta sekrete e grabitur me hetimet për trafikun e drogës nëpërmjet Portit të Durrësit?”, tha Alibeaj.
Sipas tij, dokumentet e grabitura kanë rëndësi për aktivitetin kriminal të atij që ka urdhëruar grabitjen e tyre.
“Çdokush që ka besuar se prokuroria do të performonte ndryshe pas reformës në drejtësi, sot e provoi edhe një herë se gjithçka ishte një iluzion. E vërteta është se pa shkëputjen e lidhjeve të qeverisë nga krimi, situata në vend do të përkeqësohet”, u shpreh deputeti demokrat. /m.z//r.e/














