TIRANË, 18 prill/ATSH/-Së shpejti, Ministri i Drejtësisë të Landit Gjerman do të vizitojë Tiranën dhe grupe ekspertësh nga Shqipëria priten të vizitojnë institucionet të drejtësisë së NRW për vendosjen e urave konkrete të bashkëpunimit.
Ambasadori i Shqipërisë në Gjermani, Artur Kuko se bashku me Konsullën e Nderit të Shqipërisë në Shtetin Federal të Rinit të Veriut dhe Vestfalisë (NRW), Anduena Stephan po vijojnë dialogun me institucionet e Landit dhe Diasporën shqiptare.
Në takimin me Ministrin e Drejtësisë të Landit, Peter Biesenbach, u theksua rëndësia e mbështetjes së Landit të NRW në procesin e hapjes së negociatave për Shqipërinë.
Reforma në Drejtësi, implementimi i saj në vazhdim, thellimi i bashkëpunimit me Landin e NRW në fusha të ndryshme të sistemit gjyqësor, angazhimi i juristeve të Diasporës sonë nga Gjermania, si në mësimdhënie ashtu edhe në sistemin e drejtësisë, ishin tema kryesore te bisedës. Nga ana e tij, Biesenbach vlerësoi dialogun e drejtpërdrejtë dhe fokusimin e takimit tek projektet konkrete të parashtruara në të.
Po kështu, ambasadori ynë vijoi takimet me me deputetin e Bundenstag dhe njëkohësisht zv.kryetarin e Komisionit parlamentar për BE, në Bundestag, Markus Töns (deputet i qytetit te Gelsenkirchen) në prani dhe të anëtares së këshillit të Integrimit të këtij qyteti, Teuta Abazi.
Mbështetja e Gjermanisë në hapjen e negociatave
Thellimi i bashkëpunimit, mbështetja e Shqipërisë për hapjen e negociatave, përfshirja e përfaqësuesve të diasporës aktiv në politikë në grupet e punës gjermano-shqiptare në nivel parlamentar, rihapja e shkollës shqipe në Gelsenkirchen, janë disa nga fushat ku pritet të thellohet bashkëpunimi bilateral. Kështu, ambasadori ynë në Gjermani e mbylli takimin me vizitën në shkollën e mësimit plotësues në gjuhën shqipe, në Dyseldorf.
Mësueset Mimoza Sulollari dhe Antoneta Micaliu bënë të ditura sfidat e shkollës shqipe dhe nevojën për bashkërendim dhe bashkëpunim më të ngushtë mes Ministrive te Arsimit dhe mësuesve. Sakaq, u fol edhe për përgatitjen e metodave të gjuhës shqipe më pranë nevojave të nxënësve, shtimit të materialeve të digjiitalizuara, librave për fëmije, binjakëzimit me shkolla publike në Shqipëri etj. z.tosku /a.g/





























