Ballina Lajme nga Vendi

Punësimi i të rinjve, përmes arsimit profesional

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155732598861523/

TIRANË, 13 prill /ATSH/- Kërkesa për arsim profesional po rritet shumë dhe kapacitetet e infrastrukturës së arsimit profesional janë shtuar, theksoi sot kryeministri Edi Rama.

Gjatë një vizite në fabrikën Forschner në Vaqarr, Tiranë, e specializuar në prodhimin e sistemeve kabllore dhe të sistemeve elektromekanike, Rama tha se “përpara katër vjetësh thuajse nuk shkonte asnjë njeri në arsim profesional, sepse ishte një farsë. Tani e kanë kuptuar që është rruga për t’u punësuar dhe faktikisht ata që janë me arsim profesional nga të dhënat që ne kemi nxjerrë, kanë një probabilitet punësimi të barabartë me ata me shkollë të lartë dhe nuk diskutohet më të lartë se ata që kanë arsim të mesëm të përgjithshëm dhe kjo është sfida, që të rrisim kapacitetet”.

Duke folur për skemën e nxitjes së punësimit, Rama u shpreh se në këtë skemë kemi përfshirë paketën financiare për trajnim një, dy, tremujor me pagesë dhe pagesa është më e lartë sesa mesatarja e ndihmës ekonomike.

“Ajo që ne po bëjmë për të ndihmuar dhe për t’i dhënë eficiencë më të lartë skemës së nxitjes së punësimit është që të japim para për këdo që thotë se unë jam i gatshëm të punoj, por nuk më marrin se nuk kam asnjë dituri apo aftësi, ose kam një diplomë juridiku prej ‘kristali’, apo e kam në ‘vitrinë'”, tha Rama duke shtuar se këta ne jemi të gatshëm t’i mbështesim financiarisht.

Forschner është një ndër shembujt pozitivë të qasjes së re në trinomin punëdhënës –Shërbimi Kombëtar i Punësimit – punëmarrës, në mënyrën se si asistohen punëkërkuesit dhe punëdhënësit në plotësimin e vendeve të lira të punës dhe për formimin profesional në vendin e punës.

Forschner e ka filluar aktivitetin në Shqipëri në vitin 2016 dhe sot, në të dy fabrikat e saj në Vaqarr dhe Xhafzotaj ka të punësuar 430 punonjës, edhe në bashkëpunim me zyrat e punës.

Bashkëpunimi me zyrat e punës vazhdon, teksa kompania planifikon brenda vitit 2019 të shkojë në 1600 të punësuar, në ndjekje të ambicies së saj për t’u rritur në treg, kryesisht atë gjerman.

Kompania aplikon modelin e kualifikimit profesional përmes punës dhe trajnimeve brenda e jashtë vendit.

Kjo ka bërë që sot, drejtues të linjave të prodhimit apo në logjistikë, t’a kenë nisur punën si punëtorë të thjeshtë në vitin 2016.

Përfaqësuesi i kompanisë thotë se 60% e atyre që janë punësuar kanë qenë praktikantë që kanë kryer 2-3 muaj praktikën në fabrikë. /k.s/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakArsimi profesional, në fokus të Programit Kombëtar të Punësimit
Artikulli tjetërITALI – Mattarella: Formimi i qeverisë nevojë urgjente