TIRANË, 13 prill /ATSH/ – Në Durrës është zhvilluar një konsultim publik me grupet e interesit dhe me qytetarët, në lidhje me Programin Kombëtar të Punësimit 2021 i cili po hartohet nga qeveria.
Në këtë takim merrte pjesë kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, prefekti Roland Nasto, deputetë, përfaqësues institucionesh, përfaqësues të grupeve të interesit dhe qytetarë.
Kryebashkiaku Dako deklaroi se një nga prioritetet më të rëndësishme të qeverisë është rritja e zhvillimit ekonomik të vendit dhe hapja e vendeve të reja të punës.
“Në këtë aktivitet po diskutojmë probleme me rëndësi përsa i përket strategjisë së punësimit në vendin tonë dhe pikërisht për këtë është ngritur një grup pune. Ky grup pune i kryesuar nga Anastas Angjeli, përbëhet nga deputetë të cilët po zhvillojnë një dialog të hapur në Shqipëri për problemin e punësimit, sepse një nga prioritetet më të rëndësishme të qeverisë është rritja e zhvillimit ekonomik dhe hapja e vendeve të reja të punës, rritja e numrit të punonjësve, por nga ana tjetër rritja e numrit me punonjës të specializuar për të përfituar nga mosha e re dhe për të përfituar nga pozicioni gjeografik i Shqipërisë”, tha Dako.
Kreu i grupit të punës për çështjet e punësimit, Anastas Angjeli në fjalën e tij deklaroi se “punësimi është një sfidë që ne do ta kapërcejmë njësoj si shumë sfida të tjera gjatë tre dekadave të fundit. Me përgjegjësi të plotë mund të them se për herë të parë Shqipëria ka tashmë të përcaktuar 4 prioritetet e zhvillimit të saj ekonomik (infrastruktura, energjia, agrobiznesi e bujqësia, turizmi). Një ndër propozimet kryesore që do të përmbajë Programi Kombëtar i Punësimit fokusohet në arsimin profesional, duke thelluar iniciativën që morëm 4 vjet më parë”.
Gjithashtu ai theksoi se “ristrukturimi i institucioneve të punësimit do të jetë gjithashtu në fokus të Programit të ri të Punësimit, ku veçanërisht zyrat e punës duhet të shkojnë drejt decentralizimit, duke i kaluar në vartësi të bashkive”. /e.malaj/ /a.g/



























