FOKUS – Skandali Facebook, si parfum revanshi për Europën e Vjetër

BELGJIKË, 13 prill /ATSH-AFP/ – “Faleminderit, Zuckerberg!”

”Homazhi” ironik i kësaj jave ndaj kreut të “Facebook”-ut ilustron një kënaqësi jo të fshehur të Brukselit përballë debateve në SHBA, në ndërkohë kur përpjekjet europiane për të kontrolluar industrinë dixhitale duken tashmë se kanë ngjallur rivalitet.

Mbrojtja e të dhënave personale në mënyrë europiane është perceptuar shpesh përtej Atlantikut si një pengesë regresive apo proteksioniste, në zhvillimin e sektorit, ashtu si projektet e Bashkimit Europian për të taksuar gjigantët e internetit.

Por, era mund të jetë kthyer me skandalin “Cambridge Analytica”, emri i kompanisë që shfrytëzoi pa qëllim të dhënat e dhjetëra milionë përdoruesve të “Facebook” duke detyruar Mark Zuckerberg të kërkojë falje dhe… të përshëndeste modelin strikt europian.

I panjohur për të huajt disa javë më parë, Rregullatori i Përgjithshëm për Mbrojtjen e të Dhënave (RGPD), që do të hyjë në fuqi më 25 maj në BE, dy vjet pas miratimit, u përmend disa herë në seancat dëgjimore të kreut të “Facebook” para parlamentarëve amerikanë këtë javë.

“Këto janë etapa pozitive”, deklaroi Zuckerberg për çështjen e këtyre standardeve, që do të detyrojnë kompanitë të marrin pëlqimin e përdoruesve europianë për shfrytëzimin e të dhënave të tyre, me sanksione që arrijnë deri në 4% të vlerës nga xhiroja botërore në rast shkeljeje.

“Po kërkoj si mund të bëjmë fushatë për rregullat tona përsa i përket mbrojtjes së të dhënave. Ja, kjo është ajo”, theksoi komisionerja europiane për Drejtësinë, Vera Jourova duke i thënë me ironi “Faleminderit!” drejtuesit të rrjetit social./ /ec/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.