TIRANË, 7 Prill/ATSH/- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha theksoi sot se, “PD është kundër prishjes së Teatrit Kombëtar” dhe premtoi se “bashkë me artistët shqiptarë do të ndërtojë një projekt kombëtar për artin e kulturën, që do ta propozojë në parlament dhe do ta mbrojë me të gjitha fuqitë dhe mënyrat”.
Në një prononcim për mediat, pas takimit me artistët, Basha tha se, “padyshim nuk do të jetë e largët dita kur shqiptarët do ta aprovojnë këtë projekt kombëtar për artin e kulturën”.
“Që në kohën që ishte ministër Kulture, Rama ka pasur një projekt për Teatrin Kombëtar, kullën. Si opozitë nuk jemi të habitur, por jemi të revoltuar për rikthimin e këtij projekti, shkatërrimin e Teatrit Kombëtar në funksion të ndërtimit të kullës dhe të një afere korruptive”.
Sipas tij, opozita do të qëndrojë fuqishëm në krah të artistëve dhe ju bën thirrje qytetarëve dhe artdashëve t’i bashkohen protestës së tyre legjitime.
“Ajo që po bën Edi Rama është e paligjshme, korruptive, kriminale. Qëndresa që po bëjnë artistët është e drejtë, jo vetëm për ta dhe për teatrin, por për kujtesën kombëtare, për kujtesën historike të qytetit, të sotmen dhe të nesërmen e qytetit të Tiranës dhe mbarë vendit”, tha Basha.
Kreu i PD-së, u shpreh se jemi në krah të artistëve me të gjitha format e mënyrat./k.s//m.m/






















