TIRANË, 7 Prill/ATSH/-. Festa e Pashkëve Ortodokse ka sjellë fluks të lartë në Kakavijë dhe Kapshticë, dy pikat kufitare të cilat lidhin vendin tonë me Greqinë.
Pushimet e Pashkëve kanë nxitur shqiptarët që jetojnë në Greqi, por jo vetëm, të nisen drejt vendit tonë. Në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës dhe në atë të Kakavijës, sipas të dhënave zyrtare nga drejtoria e Kufirit dhe Migracionit, bëhet me dije se prej së enjtes e deri në mesditën e sotme, kanë hyrë në tokën shqiptare 10 706 shtetas dhe më shumë se 2 900 automjete.
Këtë vit ka pasur fluks të lartë edhe në dalje, ku janë regjistruar më shumë se 3 500 shtetas dhe plot 1 000 automjete.
Në Kapshticë gjatë 24- orëve të fundit janë regjistruar: hyrje e shtetasve shqiptarë e të huaj 7 200; dalje e shtetasve shqiptarë e të huaj 4 133; hyrje e mjeteve 2 291 dhe dalje e mjeteve 1021.
Ndërsa në Kakavijë gjatë 24-orëve të fundit janë regjistruar 4300 shtetas në hyrje dhe 3213 në dalje.
Nga pala jonë aktualisht po punohet me 7 sportele. 5 në hyrje dhe 2 në dalje. Nga ana tjetër, edhe pala greke ka rritur gjatë ditës së sotme numrin e sporteleve, duke i çuar në gjashtë të tillë./m.m/























