Die WELT korrigjon citimin e gabuar, Rama: Kur media nuk është kazan

TIRANË, 29 Mars/ATSH/.- Kryeministri Edi Rama ka reaguar pasi media gjermane Die WELT, korrigjoi një citim në intervistën e realizuar me të, lidhur me kapjen e 613 kg kokainë në Durrës.

Në intervistë shkruhej se Rama ishte shprehur se kokaina në Durrës u kap nga autoritetet shqiptare në bashkëpunim me ato italiane.

Por një ditë më parë kryeministri tha se, kjo deklaratë nuk ishte e vërtetë dhe kemi të bëjmë me një gabim pasi droga është kapur falë super aksionit të policisë shqiptare.

Sot në një postim në facebook, Rama deklaron se “prestigjozja gjermane Die WELT korrigjoi në kohë rekord, citimin e gabuar nga intervista ime e regjistruar me gazetarin, lidhur me të vërtetën (e shtrembëruar padashje nga gazetari gjatë zbardhjes së intervistës) të kapjes së 613 kg kokainë nga agjencitë ligjzbatuese shqiptare, pa asnjë bashkëpunim ndërkombëtar”.

“Mund të kishte qenë fare mirë një operacion në bashkëpunim me partnerët (si shumë të tjerë), që s’do zbehte as vlerën e operacionit e as rolin e agjencive tona, por e vërteta është se nuk ishte dhe kaq!”, shprehet Rama ndërsa ka publikuar edhe pjesën e korrigjuar nga Die WELT .

Kreu i qeverisë thekson se “ndërkohë që, ndryshe nga ç’ndodh përditë rëndom në këtë vendin tonë të vogël, ku nëpër pasqyrat mediatike bëhet rregullisht ‘prifti me barrë’ e futet ‘xhamia në thes’ dhe askush, as nuk merr e as nuk mban asnjë përgjegjësi përpara publikut, kjo media e madhe e një vendi të madh, merr e mban përgjegjësi publike edhe për një fakt kaq periferik, sa ç’është për përmasat e saj, citimi i gabuar i kryeministrit të një vendi kaq të vogël sa i yni”. /k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.