Marrëveshje bashkëpunimi ATSH-BTA
Marrëveshje bashkëpunimi ATSH-BTA Marrëveshja e nënshkruar sot në Tiranë nga Drejtoresha e Përgjithshme e ATSH-së, Armela Krasniqi dhe Drejtori i Përgjithshëm i agjencisë bullgare të lajmeve, BTA, Maxim Minchev, parashikon shkëmbimin e lajmeve mes dy agjencive por edhe të fotove e videove në disa sektorë. Në një intervistë për ATSH, Minchev e konsideron nënshkrimin e kësaj marrëveshje si një mundësi të re për të shkëmbyer informacione ditore, veçanërisht në këtë periudhë të rëndësishme për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor në kuadër të procesit integrues, ndërsa Bullgaria mban Presidencën e BE-së.
Posted by Agjencia Telegrafike Shqiptare on 29.03.2018
TIRANE, 29 Mars/ATSH/- Agjencia Telegrafike Shqiptare dhe Agjencia bullgare e lajmeve, BTA, nënshkruan sot një marrëveshje bashkëpunimi për shkëmbimin e informacionit nga të dyja vendet.
Marrëveshja e nënshkruar sot në Tiranë nga Drejtoresha e Përgjithshme e ATSH-së, Armela Krasniqi dhe Drejtori i Përgjithshëm i agjencisë bullgare të lajmeve, BTA, Maxim Minchev, parashikon shkëmbimin e lajmeve mes dy agjencive, por edhe të fotove e videove në disa sektorë.
Në një intervistë për ATSH, Minchev e konsideron nënshkrimin e kësaj marrëveshje si një mundësi të re për të shkëmbyer informacione ditore, veçanërisht në këtë periudhë të rëndësishme për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor në kuadër të procesit integrues, ndërsa Bullgaria mban Presidencën e BE-së.
“Prioriteti kryesor i politikës sonë do të jetë Ballkani Perëndimor, përfshirë Shqipërinë. Së dyti, do të shkëmbejmë foto, dhe së treti grupet e gazetarëve. Mendoj se po hedhim një hap tjetër përpara në rrugën e miqësisë mes dy vendeve”, tha ai.
Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm i BTA tha se “marrëveshja ka rëndësi, sepse vjen në një moment kur agjencia shqiptare e lajmeve ka në krye një drejtoreshë të re, Armela, një gazetare shumë profesioniste. Mendoj, se për ne është me rëndësi të shkëmbejmë jo vetëm lajmet e përditshme, por edhe informacione në fusha të tjera të marrëdhënieve bilaterale, pasi ne jemi vende mike dhe bashkëpunojmë në tregti, arsim, sport, kulturë, etj”.
“Infrastruktura e medias po ndryshon me hapa të shpejtë jo vetëm në Ballkan, Shqipëri, por kudo në botë dhe nuk e di se çfarë do të ndodhë nesër, tha Minchev por shtoi se “media sociale është shumë aktive, por nuk është një media serioze”.
“Twitter për shumë politikanë është një mjet shumë i mirë dhe i shpejtë komunikimi, por për agjencitë e lajmeve nuk është mënyra e duhur e raportimit të lajmit. Më shume se 80% e informacionit botëror mbulohet nga agjencitë e lajmeve, 20% nga gazetat, radiot dhe televizionet. Jemi në një situatë ku mediat sociale po përpiqen të pushtojnë tërë territorin. Le të themi që kemi përpara nesh jo një betejë, por një proces shumë të vështirë”, deklaroi ai.
Gjithashtu në fokus të marrëveshjes së nënshkruar në ambientet e ATSH është edhe shkëmbimi i vizitave në nivel gazetarësh, teknikësh, fotoreporterësh nga të dyja vendet me qëllim shkëmbimin e eksperiencave./a.gegvataj/





























