TIRANË, 24 Mars/ATSH/.- Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ka alokuar një fond prej 20 milionë lekësh për të siguruar bazën ushqimore të gjësë së gjallë, për të gjithë fermerët në zonën e prekur nga përmbytjet e fundit në Qarkun e Shkodrës.
Zv.ministri Ilir Halilaj u shpreh se “kjo bazë ushqimore do të jetë e mjaftueshme për të garantuar furnizimin me ushqim të blegtorisë në këtë zonë, për një periudhë 2-javore në vazhdim, deri në stabilizimin e situatës”.
Me anë të këtij fondi, garantohet ushqimi për rreth 4100 gjedhë, 8000 të imta dhe 1300 derra
Kjo sasi, i shtohet bazës ushqimore të siguruar deri tani dhe të shpërndarë tek fermerët nga Shtabi i Emergjencave.
Janë rreth 400 ton koncentrat ose bar i thatë, që do vihen në dispozicion të fermerëve me anë të këtij fondi.
Vlerësimi i nevojave për këtë sasi ushqimi, është bërë nga Drejtoria e Bujqësisë në Qarkun Shkodër.
“Duhet theksuar që, gjatë gjithë kësaj kohe, Ministria e Bujqësisë ka qenë krah ministrive të tjera, në dhënien e ndihmës së nevojshme fermerëve të prekur nga përmbytjet. Ne do të vijojmë të vemë në dispozicion të gjitha kapacitetet tona për kalimin e shpejtë dhe pa dëme të mëtejshme të kësaj situate. Ky fond do i kalojë Shtabit të Emergjencave Civile”, tha Halilaj./m.m/























