“Hapësira zero”, përfaqëson Shqipërinë në Bienalen e Venecias

TIRANE, 24 Mars /ATSH/ -Ministria e Kulturës shpall projektin që do të përfaqësojë Shqipërinë në edicionin e 16-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Arkitekturës në Bienalen e Venecias 2018.

Projekti fitues është “Hapësira Zero”, i paraqitur nga Commonsense.studio, Varka Arkitekturë, Fablab Tirana, kuruar nga Elton Koritari.

Juria u frymëzua nga lidhja e propozuar nga ekipi midis Venecias dhe Tiranës për të sjellë një pjesë të mjedisit urban të Tiranës në Venecia, një pjesë që Tirana po humbet në procesin e zgjerimit urban / rindërtimit.

Ridimensionimi i Tiranës, i qytetit në shkallë njerëzore, duke u kthyer në një hapësirë ku gjeneratat e ardhshme njohin vetveten. Ekipi përkthen dhe interpreton natyrën e çastësishme të jetës së Tiranës, kap një moment nga fluksi i saj dhe ja dorëzon atë publikut të Biennales.

Një instalacion që interpreton pozitivisht një fenomen që lind si social, por që përkthehet në një energji që modelon nëpërmjet arkitekturës së qytetit të gjithë menyrën tonë të jetës, në një pikëtakimi domethënëse të njeriut me hapësirën. Tirana hap dyert e saj komode, plot ngjyra dhe tinguj primordialë, në Biennalen e 16 Ndërkombëtare të Arkitekturës.  /e.malaj/ /a.g/

           

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.