TIRANË, 24 Mars/ATSH/.- Sfidat e një balerini të universalizuar në personazhin e një vajze ruse, Polinës, e cila kishte pasion baletin dhe po ushtrohej rreptësisht në baletin klasik janë në qendër të filmit “Polina, të vallëzosh me jetën”, që u shfaq mbrëmjen e djeshme në kinema Millenium, Tiranë.
I shfaqur në kuadër të Pranverës së frankofonisë në Shqipëri, ky film u mundësua nga Ministria e Kulturës, Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe Ambasada e Francës në Shqipëri.
Filmi është realizuar nga Angelin Preljocajt me bashkëshorten e tij Valerie Muller, një emër i njohur në kinemanë franceze si regjisore dhe shkrimtare.
“Polina” simbolikisht pasqyron jetën e koreografit me origjinë shqiptare, Angelin Prejlocaj. Historia e Polinës vjen përmes interpretimit të balerinës ruse Nastya Shevtzoda në rolin e protagonistes,
Aleksey Guskov në atë të mësuesit të saj, aktores së famshme franceze Juliette Binoche në rolin e profesoreshës së kërcimit, në rolin e balerinit francez është Jeremie Belingard dhe balerinët e Operës së Niels Schneider në Paris. Publiku në film sheh një Binoche që kërcen balet dhe sipas Preljocajt, për të arritur në atë performancë, është praktikuar për 6 muaj me radhë, çdo ditë.
Ngjarjet zhvillohen në Moskën e viteve nëntëdhjetë, kur perdja e hekurt sapo kishte rënë. Polina, një vogëlushe tetëvjeçare, e cila vjen nga një familje e thjeshtë dhe që ka prirje të mëdha për kërcimin, zgjidhet për të ndjekur leksione baleti në shkollën e vështirë të mjeshtrit Nikita Bojinski, që do ta përgatisë për në Teatrin “Bolshoi”, pjesë e të cilit do të bëhet në moshën 18- vjeçare.
I realizuar me Valerie Muller, filmi i përshtatur nga libri me ilustrime i Bastien Vives, u shfaq premierë në nëntor të vitit 2016.
Koreografi me origjinë shqiptare e me famë botërore Angelin Preljocaj u rikthye sërish në Tiranë, pas suksesit të shfaqjes së baletit “Un Trait d’Union”. “Polina, të vallëzosh me jetën” u shfaq premierë në 2016 në “Pavillon Noir & Aix” në Provence, Francë. Ky është filmi i parë me metrazh të gjatë i Angelin Preljocajt, i realizuar me bashkëshorten e tij Valerie Muller.
Për Preljocaj ky nuk është i vetmi film, ai ka realizuar një seri filmash me motive të koreografisë, që kryesisht janë me metrazh të shkurtër si: “Le postier, Idees noires” në 1991; “Un Trait d’Union” dhe “Annonciation”, si dhe “Borëbardha”, i realizuar në 2011-ën. /k.s/ /a.g/






















