TIRANE, 23 Mars/ATSH/-30 menaxherët e parë shëndetësorë do të diplomohen këtë vit falë programit të parë të masterit profesional që kombinon njohuritë nga Fakulteti i Mjekësisë dhe Fakulteti i Ekonomisë në Tiranë, mbështetur nga Qeveria Zviceriane përmes projektit “Shëndet për të Gjithë”.
Në ceremoninë e lancimit të masterit profesional të menaxherëve të shëndetësisë merrnin pjesë Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, diplomatja zviceriane, Ruth Huber, drejtore e Bashkëpunimit me Europën Lindore në Ministrinë e Jashtme të Zvicrës, drejtues të universiteteve, studentët e programit, etj.
“Nuk duhet fshehur se menaxherët në shëndetësi kanë qenë një pikë e dobët e sistemit. Ndaj ky program i parë i menaxhimit shëndetësor, një program inovator që nuk ekzistonte në universitetet publike në Shqipëri deri para vitit 2017, patjetër që do të kontribuojë në rritje e kapaciteteve të burimeve njerëzore, duke nxjerrë brezin e parë të menaxherëve të shëndetësisë, kaq shumë të nevojshëm për vënien në zbatim të politikave tona për fuqizimin e shërbimit shëndetësor në vend”, tha ministrja Manastirliu.
Deri më sot, ka pasur ose menaxherë që dilnin nga fakulteti i ekonomikë ose profesionistë të shëndetësisë, por asnjëherë më parë programe të mirëfillta që të përfshijnë dy universitetet e Tiranës.
Ambasadorja Huber në fjalën e saj theksoi se Zvicra është shumë e nderuar të mbështesë iniciativa të tilla që kontribuojnë në fuqizimin e burimeve njerëzore. “Ky është hapi i parë në drejtimin e duhur, që do të rrisë kapacitetet e burimeve njerëzore dhe do të kontribuojë në përmirësimin e shërbimit shëndetësor në Shqipëri”, u shpreh Huber.
Rektori i Universitetit të Mjekësisë prof. Arben Gjata dhe dekani i Fakultetit Ekonomik prof. Dhori Kule, duke vlerësuar këtë bashkëpunim të parë, shprehen angazhimin e tyre për të përmbushur me sukses këtë program për studentët nga Shqipëria dhe Kosova, përmes lektorëve më të mirë të dy universiteteve. z.tosku/ /a.g/

































