UASHINGTON, 16 mars /ATSH-AFP/ – Ministri japonez i Punëve të Jashtme, Taro Kono u prit dje në departamentin amerikan të Shtetit, para se të vinte homologu i tij koreanojugor në mesditë, ndërkohë që SHBA-ja përgatitet për një samit historik mes Donald Trump dhe kreut koreanoverior Kim Jong Un.
Tre ditë pas shkarkimit të shefit të diplomacisë amerikane, Rex Tillerson nga presidenti republikan, ishte zëvendësministri John Sullivan që priti Taro Kono-n.
Kjo është shfaqja e parë publike e këtij diplomati diskret ndërkohë që garanton periudhën tranzitore në krye të diplomacisë së fuqisë së parë botërore, duke pritur konfirmimin nga Kongresi amerikan, që nuk pritet të vijë para muajit prill, të pasuesit që do të zëvendësojë Tillerson-in, drejtorin e CIA-s, Mike Pompeo.
Sullivan pritet të takohet me ministren koreanojugore të Punëve të Jashtme, Kang Kyung Wha, vendi i të cilës ishte në qendër të lëvizjeve diplomatike që mundësuan këtë samit historik që teorikisht pritet në fund të majit.
Ishin pikërisht të dërguarit e Seulit që, pasi u kthyen nga Koreja e Veriut, i dërguan Donald Trump-it qëllimet e Kim Jong Un-it, që ishte i gatshëm sipas atyre për ta takuar dhe për të diskutuar për një denuklearizim./G.S/






















