Ballina Bota

KOMENT – Juncker: E ardhmja e Ballkanit Perëndimor brenda BE-së

TIRANË, 6 mars /ATSH/ – Pak javë pasi strategjia e Komisionit Europian për zgjerimin e Ballkanit Perëndimor u paraqit përpara Parlamentit Europian, presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker bëri një vizitë zyrtare në rajonin e Ballkanit Perëndimor, shkruan sot European Western Balkans (EWB).

Gjatë javës së kaluar, Juncker vizitoi Serbinë, Maqedoninë, Shqipërinë, Bosnje-Herzegovinën, Kosovën dhe Malin e Zi, vende që aspirojnë të bëhen anëtare te BE-së.

Juncker e përfundoi turneun e tij në Ballkanin Perendimor në kryeqytetin e Bullgarisë, Sofje, që aktualisht mban presidencën e radhës të BE-së.

Gjatë vizitës së tij, presidenti i Komisionit Europian përsëriti mesazhin e bërë të njohur për strategjinë e zgjerimit, ku është paraqitur si një dokument për integrimin e mëtejshëm të Ballkanit Perëndimor, dhe theksoi rëndësinë në radhë të parë të vlerave europiane.

Edhe një herë u këmbëngul në kapërcimin e pengesave përpara hyrjes, përfshirë luftën kundër korrupsionit, shtetin e së drejtës, mosmarrëveshjet kufitare dhe pajtimin në rajon. Juncker nënvizoi se BE-ja është e hapur për anëtarësime të tjera vetëm kur vende të veçanta i kanë përmbushur kriteret. Megjithëse strategjia e zgjerimit i konsideroi Serbinë dhe Malin e Zi si vende në pararojë të procesit të anëtarësimit, Juncker deklaroi se 2025-a është e hapur për të gjitha vendet kandidate.

Ky vit u përmend së pari në strategji me termat: ”strategjia shpjegon hapat që duhet të ndërmerren nga Mali i Zi dhe Serbia për të përfunduar procesin e anëtarësimit në 2025 si perspektivë”; ndërsa të tjerët mund t’i arrijnë, Mali i Zi dhe Serbia janë të vetmet vende me të cilat bisedimet e anëtarësimit tashmë kanë filluar.

Por, në Shqipëri, Juncker bëri një interpretim disi të ndryshëm kur ai deklaroi se ”ndryshe nga sa lexojmë kudo, Komisioni dhe unë nuk thamë që Serbia dhe Mali i Zi duhej patjetër të ishin anëtarë të BE-së në 2025”.

Për më tepër, shefi i Komisionit Europian tha se 2025 do të jetë e hapur për të gjitha vendet kandidate.

Nga ana tjetër, vendet anëtare të BE-së janë në ankth jo për shkak të përsëritjes së një pranimi të nxituar siç ndodhi me Rumaninë dhe Bullgarinë në 2007 dhe jo për të patur ndonjë konflikt bilateral siç është situata me Kroacinë dhe Slloveninë, të dyja anëtare të BE-së.

Por, Juncker tha se ai do të kthehej në Bruksel i bindur se vendi i Ballkanit Perëndimor është në zemër të Bashkimit Europian.

Përveç takimit me zyrtarët më të lartë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Juncker pati një sërë intervistash mbi procesin e mëtejshëm të zgjerimit të BE-së. Duke iu përgjigjur pyetjeve për Euronews, Juncker tha se gjëja kryesore e cila po diskutohej gjatë vizitës së tij ishte procesi i integrimit dhe jo datat dhe as fundi i historisë.

Ai theksoi se ”qeveritë e rajonit duhet të kuptojnë se duhet të plotësohen të gjitha kriteret dhe kushtet për pranim, aktualisht ato nuk janë, dhe kështu që do të duhet kohë”.

Një nga gjashtë ndalesat e bëra nga Juncker në turin e Ballkanit Perëndimor ishte Sarajeva, ku ai mbajti një fjalim para Asamblesë Parlamentare të Bosnje-Hercegovinës. Juncker rikonfirmoi si angazhimin e tij personal edhe angazhimin e BE-së për perspektivën europiane të Bosnje-Hercegovinës.

Presidenti i Komisionit tha edhe një herë se e ardhmja e saj është në BE, bazuar në vlerat themelore të përqafuara nga secili vend. Juncker theksoi si më të rëndësishme që ndarjet duhet të sheshohen duke ndërtuar një unitet të fuqishëm ndërkohë.

Gjithashtu në lidhje me mosmarrëveshjet që zakonisht paraqiten kur është koha e vendimmarrjes, Juncker tha se ”mosmarrëveshjet krijojnë vetëm bllokime, paraliza dhe vonesa të panevojshme që dëmtojnë interesat e bashkëqytetarëve tuaj dhe ngrejnë pyetje rreth vendosmërisë tuaj për t’iu bashkuar Bashkimit Europian”.

Vetëm pak ditë pasi ministri rus i Punëve të Jashtme vizitoi Serbinë, presidenti i Komisionit të BE-së, Jean-Claude Juncker dhe komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Johannes Hahn zhvilluan një konferencë për shtyp bashkë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ku Juncker deklaroi se data e aderimit nuk varet nga BE-ja, por nga Serbia.

Juncker e përdori këtë rast për të përsëritur këtë mesazh dhe ta bëjë atë të qartë se 2025-a nuk është një premtim, por një prespektivë dhe inkurajim sepse sikurse ai e ka thënë “çdo vend që aspiron për në BE meriton inkurajim për rrugën e BE-së, pasi ka bërë një përpjekje të ndjeshme në këtë drejtim”.

Një prej çështjeve ishte një marrëveshje ligjërisht detyruese që duhej të nënshkruhej në mënyrë që të normalizohen marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës. Në kuadër të së cilës Juncker përsëriti se “BE-ja nuk mund të importojë çështje dypalëshe pasi BE-ja kërkon t’i ofrojë Ballkanit Perëndimor stabilitet dhe jo të importojë destabilitet”.

Kreu i Komisionit u takua gjithashtu me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe insistoi në votimin e demarkacionit të kufirit të përbashkët me Malin e Zi pasi është një hap i rëndësishëm drejt liberalizimit të vizave.

Juncker shprehu gjithashtu shqetësimin e tij se banorët e Kosovës janë të vetmit në rajon dhe Europë që nuk janë në gjendje të udhëtojnë lirshëm.

“Ata janë si gjithë qytetarët e tjerë dhe duhet të kenë të njëjtat të drejta, që do të jepen pasi demarkacioni të zgjidhet. Gjithashtu, hapa konkret duhet të kryhen në luftën kundër trafikut dhe korrupsionit. Ne duam që marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë të vendosen në një bazë të re. Është thelbësore që kosovarët dhe serbët të gjejnë një pajtim mes tyre, që do të jetë ligjërisht detyrues dhe të të mundësojë të ecet drejt Europës”, tha Juncker.

I mbushur me optimizëm, presidenti Juncker deklaroi për reporterët në Sofje se ”aderimi nuk është një ëndërr, por një realitet, një realitet që do të vijë”.

Në kryeqytetin e Bullgarisë, Juncker përfundoi turrin e tij ku mbajti një fjalim ku ai sërish theksoi se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor qëndron brenda BE-së./ /p.s./ /m.b/ /G.S/ a.jor.

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakLONDËR – Qeveria britanike shton dhënien e lejeve të ndërtimit, rrit ofertën dhe ul çmimin e shtëpive
Artikulli tjetërDurrës/ Qato: Nxisim punësimin dhe lehtësojmë biznesin