LONDËR – Qeveria britanike shton dhënien e lejeve të ndërtimit, rrit ofertën dhe ul çmimin e shtëpive

LONDËR, 6 mars /ATSH/ – Kryeministrja britanike, Theresa May prezantoi rregullat e reja në lidhje me ndërtimin e banesave, thuhet në një njoftim të faqes zyrtare të qeverisë britanike.

Mund të quhet një vendim historik ai që mori dje kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, e cila i ka kërkuar qeverisë të stimulojë dhënien e lejeve të ndërtimit për shtëpi, si një mënyrë për të rritur kërkesë-ofertën dhe ulur çmimin e banesave për çiftet
e reja.

Një nismë kjo, e cila është mirëpritur nga britanikët, duke qenë se të kesh në pronësi një shtëpi sot është bërë thuajse e pamundur në Britaninë e Madhe, sidomos për çiftet e reja që duan të krijojnë familje.

Theresa May deklaroi dje se qeveria është duke “rishkruar rregullat e planifikimit”, për të ndihmuar zhvilluesit dhe autoritetet vendore (bashkitë) të ndërtojnë më shumë shtëpi, për të rikthyer ëndrrën e pasjes së pronësisë së një shtëpie.

Rregullat e reja të planifikimit do ta bëjnë sistemin më të drejtë dhe më efektiv, duke riorganizuar procesin, duke shkurtuar burokracinë dhe duke i dhënë fund barrierave për lejet e ndërtimit.

Vitin e kaluar në Britani u ndërtuan mbi 217,000 shtëpi të reja, por kryeministrja tha se “për dekada të tëra ky vend ka dështuar të ndërtojë një numër të mjaftueshëm shtëpish”. Ajo u shpreh se “në pjesën më të madhe të vendit, strehimi është aq i papërballueshëm, saqë miliona njerëz, që me të drejtë duan të blejnë shtëpinë e tyre, nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë. Dështimi për të përputhur kërkesën me ofertën, në të vërtetë ka nxitur rritjen e çmimeve dhe rrjedhimisht, çmimet më të larta, sollën qira më të larta”.

Kryeministrja britanike shtoi se “unë ende e kam të freskët në kujtesë shtëpinë e parë që kam ndarë me burrin tim, Filipin. Jo vetëm fotot tona nëpër mure, librat tanë të vendosur në rafte, por edhe ndjesinë e sigurisë që vinte ngaqë e dinim që nuk do na kërkonin ta lironim atë brenda një kohe të shkurtër. Dhe për shkak se kishim atë siguri, ishte shumë më e lehtë të luanim një rol aktiv në komunitetin tone, për të ndarë qëllimin e përbashkët të një shoqërie të lire”.

May pranoi se “hendeku midis lejeve të dhëna për ndërtim dhe shtëpive të ndërtuara, është ende shumë i madh”. Ajo u shpreh se “qeveria po rishkruan rregullat për planifikimin edhe për arsye që lejet e ndërtimit të jepen më shpejt”./  /G.S/  a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.