Ballina Lajme nga Vendi

PS-LSI, dakordësi për 19 amendamentet e Vetting-ut në Polici

TIRANË, 5 Mars /ATSH- I. Vata/ -Kemi dakordësi me Partinë Socialiste për 19 amendamentet e LSI-së për Vetting-un me Policinë e Shtetit, ka deklaruar sot Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi.

E pyetur nga mediat, se a e ka pranuar Partia Socialiste amendamentet e LSI-së për ligjit të Vetting-ut në Polici e Shtetit, Kryemadhi tha se LSI ka paraqitur 19 amendamente për të cilat është dakordësuar me PS. “Përfshirë këto janë dhe dy amendamente të tjera të cilat kanë qenë të propozuara nga ICITAP (i ambasadës amerikane) që nuk ishin parashikuar në projektligj dhe janë vendosur si kusht nga LSI”, shtoj ajo.

Më tej Kryemadhi tha se “Sigurisht që Vetting-u në polici është një instrument i jashtëzakonshëm, pasi në situatën që jemi sot është i domosdoshëm dhe ky projektligj është shumë i rëndësishëm për të pasur parasysh etapat e tjera që do të zhvillohet, sepse situata e cila gjende policia shqiptare është në gjendje të mjerueshme për shkak të infiltrimit apo dhe implikimit të ish- drejtuesve të policisë, tregon se Vetting-u në radhët e policisë është i domosdoshëm , madje të shtrihet dhe më gjerë”.

Po ashtu,  Kryemadhi tha se “Ajo që dua të theksoj është se ne jemi në pritje të aprovimit të 19 amendamenteve të propozuara nga grupi  LSI. Janë të domosdoshme, nuk kanë të bëjnë thjeshtë me kapriço politike por përparimin e një legjislacioni jo vetëm europian por dhe demokratik dhe një legjislacion që të ndalin çdo abuzim që mund të ndodhi në segmentet e policisë”.

Pyetjes se si e ka pritur PD, gjetjen e gjuhës së përbashkët mes LSI-PS, Kryemadhi shprehet se nuk mendoj se ka ndonjë problem në këtë gjë, sepse ka pasur dhe raste të tjera dhe ka për të pasur gjithmonë.

“LSI nuk kompensohet, por përsa i përket bashkëpunimit për ligje që janë në shërbim të qytetarëve shqiptarë, nuk kemi asnjë qëndrimi tjetër vetëm se një angazhim për të patur një politikë në shërbim të qytetarëve”, theksoi Kryemadhi./e.caushi/

 

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGJERMANI – Merkel: Pres me padurim për të nisur punën me qeverinë e re
Artikulli tjetërVeliaj vizitë në Emiratet e Bashkuara Arabe për financime dhe investime në zonën e Bulevardit të Ri