Ballina Aktualitet

Përfundim i shpejtë i reformës zgjedhore për të përmbushur rekomandimet e OSBE/ODIHR-it

TIRANË, 10 nëntor/ATSH/ Prezenca e OSBE-së do të bashkërendojë asistencën e komunitetit ndërkombëtar për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve

Pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021 dhe fillimit të diskutimeve për një reformë të re zgjedhore, Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Vincenzo Del Monaco, organizoi sot një takim të ambasadorëve të shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së dhe të organizatave ndërkombëtare në Shqipëri, për të shkëmbyer informacion dhe për të bashkërenduar asistencën për çështjet zgjedhore.

Prezenca ftoi në takim Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i cili i njohu të pranishmit me administrimin e zgjedhjeve të 25 prillit, përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme dhe nevojat e KQZ-së për asistencë.

Ai falënderoi OSBE-në dhe ndërkombëtarët e tjerë për mbështetjen e tyre, duke e quajtur këtë një faktor kyç për performancën e suksesshme të KQZ-së me gjithë afatet shumë të shkurtra.

Celibashi shtoi se, edhe pse mangësitë në procesin zgjedhor nuk munguan, për herë të parë partitë politike nuk adresuan asnjë kritikë ndaj punës së KQZ-së.

Si Celibashi, ashtu edhe Del Monaco mirëpritën gatishmërinë e partive politike për të filluar reformën zgjedhore dhe theksuan rëndësinë e një përfundimi të shpejtë të saj për të përmbushur rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.

Pjesëmarrësit e lavdëruan KQZ-në për përgatitjen dhe menaxhimin profesional të zgjedhjeve në kohë të shkurtër dhe shprehën gatishmërinë për të vijuar të mbështetin përpjekjet e KQZ-së për përmirësimin e proceseve të ardhshme zgjedhore.

Gjithashtu, ata nxitën Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, partitë politike dhe aktorët e tjerë zgjedhorë për ta përdorur vrullin e tanishëm për të filluar shqyrtimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.

Ambasadori Del Monaco e mirëpriti sugjerimin e Celibashit, të mbështetur edhe nga pjesëmarrësit e tjerë, që Prezenca e OSBE-së të bashkërendojë ndihmën e komunitetit ndërkombëtar për KQZ-në.

Kreu i Delegacionit të BE në Tiranë, ambasadori Luigi Soreca, u shpreh në një reagim pas takimit se “Bashkimi Evropian vazhdon t’u bëjë thirrje të gjithë aktorëve përgjegjës për zbatimin e plotë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe për të mbështetur punën e KQZ  për forcimin e mëtejshëm të të procesit zgjedhor në Shqipëri”.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSfida me Anglinë, Cikalleshi dhe Roshi: Luajmë pa frikë në Uembli
Artikulli tjetër“Ballkani i Hapur”, mekanizëm për të rritur bashkëpunimin në rajon