Ballina Flash

Sfida me Anglinë, Cikalleshi dhe Roshi: Luajmë pa frikë në Uembli

TIRANË, 10 nëntor/ATSH/ Kombëtarja shqiptare po bëhet gati për të zhvilluar dy ndeshjet e fundit ndaj Anglisë dhe Andorrës. Fillimisht kuqezinjtë do të luajnë ndeshjen e parë në stadiumin “Uembli” ndaj anglezëve më 12 nëntor, ndërsa tri ditë më vonë, skuadra e Rejës do të luajë në “Air Albania” me Andorrën.

Në prag të sfidës me Anglinë, kanë dalë ditën e sotme në një konferencë për mediet Sokol Cikalleshi dhe Odise Roshi, të cilët kanë folur në lidhje me këto dy sfida.

Fillimisht ishte sulmuesi Sokol Cikalleshi i cili iu përgjigj interesit të medieve, i cili u shpreh se ndihet në formë shumë të mirë dhe shpreson se do ta ndihmojë ekipin në fushë. Ai gjithashtu u shpreh se ekipi do të luajë i bashkuar për të arritur një rezultat pozitiv në Uembli, teksa komentoi edhe pozicionin e trajnerit Reja në krye të ekipit kuqezi.

“Ndihem mirë, jam në formë. Kam shënuar në kampionat me ekipin. Nëse do të jem në fushën e lojës, uroj që forma e mirë që kam ta ndihmojë ekipin në një rezultat sa më pozitiv dhe të shikojmë në fushë nëse do të arrijmë të bëjmë atë çka ne mund të bëjmë të gjithë si grup duke luftuar dhe duke qenë të gjithë bashkë, edhe pse është ndeshje shumë e vështirë, por edhe e bukur për t’u luajtur. Jemi gati!”, tha ai

I pyetur për dyshen në sulm me Uzunin, Cikalleshi theksoi se, “të them të drejtën, nuk mund të them dyshe perfekte pasi kohët e fundit në sulm kanë luajtur shumë lojtarë të tjerë. Nuk është dyshe stabile. Të shikojmë vendimin që do të marrë trajneri. Më vjen mirë që kam shënuar edhe unë edhe Uzuni. Jo vetëm kemi shënuar, por kemi luajtur të gjithë, unë Uzuni, Balaj, Roshi. Jemi të gjithë në formë dhe nuk besoj se do të jetë shumë e rëndësishme kush do të jetë në fushë, por më e rëndësishme është të nxjerrim më të mirën tonë. Uroj që të bëjmë diçka pozitive”.

Për trajnerin Reja, Cikalleshi u shpreh se, “jam ndjerë shumë mirë me trajnerin Reja dhe kam shënuar. Edhe në aspektin e ekipit dhe duke parë edhe performancën e ekipit, vitet kur ka qenë Reja në krye, kemi kaluar nga epoka De Biasi me një futboll më shumë difensiv, tek epoka Reja ku topin e mbajmë më shumë ne. Kemi raste, luajmë futboll ofensiv. Për ekipe si Shqipëria kjo nuk është pak. Besoj që nuk jemi ende aty ku duhet dhe mungon pak rifinitura e fundit që ne mund të na çonte në Botëror, detajet e vogla pra. Do të uroja që trajneri Reja të vazhdonte në krye, pse jo dhe duke u mbështetur edhe tek eksperienca e tij, besoj do ta ndihmonte ekipin të arrinte edhe atë pak që i ka ngelur, për të bërë atë kapërcimin që ne duam të gjithë”.

I pyetur nëse ka peng në këto eliminatore, Cikalleshi tha se, “nëse do të kthejmë sytë nga historia jonë, besoj se në aspektin e Botërorit, nuk kemi pasur ndonjëherë momente që një ndeshje mund të vendoste gjithçka, siç ishte ndeshja me Poloninë. Dhe jo vetëm unë, por të gjithë lojtarët, gjithashtu edhe stafi dhe Presidenti, të gjithë, jemi paksa të mërzitur, jo nga ndeshja, por nga situata që na ndodhi, me lojtarët e dëmtuar, gjithashtu edhe covidi, që ndikuan. Nuk do të them që nëse do të ishim ne, fitorja do të ishte e sigurt, por të paktën do të ishte një grup i plotë dhe mund të arrinim diçka më shumë sepse ishte një ndeshje që nëse do ta fitonim, sot do të flisnim ndryshe. Por ne nuk dorëzohemi, sepse unë më shumë jam realist dhe duhet ta pranojmë nivelin e Anglisë që edhe kur e kemi nisur këtë rrugëtim, e kemi thënë që Anglia është e para në grup dhe ne do të luftojmë me Hungarinë dhe Poloninë. Fatkeqësisht, na shkuan gjërat keq me Poloninë dhe kjo na ka mbetur peng. Por ky është futbolli dhe ne do të ecim përpara. Patjetër që unë do të doja që në këto eliminatore të lëmë një nga këto ekipe përpara dhe uroj që duke lënë Hungarinë mbrapa, kemi bërë një hap pozitiv përpara. Patjetër që nëse do të linim edhe Poloninë, atëherë do të ishte diçka që nuk e kemi bërë më parë. Uroj që të arrijmë diçka në Angli, po ashtu edhe Polonia të bëjë një hap fals me Hungarinë”.

Për shanset për të fituar me Anglinë, Cikalleshi tha se, “goli në Uembli, nëse nuk do të jepte rezultat, nuk besoj se do të ndryshonte shumë në aspektin personal timin. Duhet të dimë që nëse do të jemi të gjithë bashkë dhe të nxjerrim më të mirën tonë, atëherë mund të kemi ndonjë shans. Duhet të jemi realistë, diferenca e Anglisë është e nivelit botëror. Duke nxjerrë çka kemi ne dhe duke luftuar si në ndeshjen me Francën ku kemi barazuar, apo me Portugalinë, që ne kemi treguar se mund të arrijmë rezultat. Ka qenë shpirti i garës dhe harmonia e grupit që na ka bërë të arrijmë rezultatin. Dhe kjo është rruga e vetme besoj që ne mund të nxjerrim diçka në ndeshjen me Anglinë”.

Odise Roshi u shpreh përpara gazetarëve se skuadra do të japë maksimumin në ndeshjen ndaj Anglisë në Uembli, teksa theksoi se shpreson që të zërë një vend titullari në formacionin ndaj anglezëve. Ai gjithashtu theksoi se ekipi kuqezi është rritur si dhe i vendosi edhe një notë Kombëtares për ndeshjet e këtij edicioni kualifikuesesh.

“Të gjithë e dimë që me Anglinë është një ndeshje shumë e vështirë. Të gjithë e dinim kualitetin që Anglia ka shfaqur dhe ka. Kurse puna e trajnerit, se si do të luajë në fushë, atë po e bëjmë në stërvitje. Ende nuk e ka vendosur me çfarë taktike do të luajmë. Po shpresojmë të bëjë atë që ka bërë gjithmonë dhe kur të futemi të japim më të mirën dhe tani, nëse themi do të fitojmë, këtë kemi thënë gjithmonë. Do të shkojmë në Uembli të luajmë dhe të japim maksimumin”, tha Roshi.

Për mesfushën ai tha se, “e kemi shumë të mirë. Jemi mirë dhe jemi rritur shumë si ekip”.

I pyetur nëse do të luajë titullar ndaj Anglisë, Roshi u shpreh se, “trajneri nuk e ka vendosur ende se cilët do të jenë 11 lojtarët që do të zbresin në fushë. Është kënaqësi shumë e madhe të luash kundër një kualiteti shumë të madh siç është Anglia, por shpresoj që të luaj në formacion”.

I pyetur nëse beson te kualifikimi, Roshi theksoi se, “mrekullitë kanë ndodhur dhe prandaj janë të bukura. Shpresoj që të ndodhë kjo gjë. Kështu kemi shkuar edhe në Portugali në 2014 dhe e kemi fituar ndeshjet. Tani lojtarët janë në formë, si Cikalleshi që ka qenë edhe lojtari i javës në formacion në Turqi. Ashtu ka edhe lojtarë të tjerë, si Bare, Kumbulla, Ismajli, që luajnë në nivele shumë të mira. Shpresojmë”.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBERLIN – Merkel: Putin të ndërhyjë në mosmarrëveshjen polako-bjelloruse për migrantët
Artikulli tjetërPërfundim i shpejtë i reformës zgjedhore për të përmbushur rekomandimet e OSBE/ODIHR-it