Ballina Aktualitet

“Ballkani i Hapur”, mekanizëm për të rritur bashkëpunimin në rajon

TIRANË, 10 nëntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “sa i përket specifikisht atyre që shikojmë në rajon këto ditë, që nuk janë shenja të mira, as në Bosnjë, as në Malin e Zi, as në Maqedoninë e Veriut, as në kufirin e Kosovës me Serbinë që pamë para disa ditësh, janë një arsye për të shtuar më shumë forcat për të rritur bashkëpunimin. ‘Ballkani i Hapur’ nuk është çelës magjik, nuk është e vetmja gjë që mund të imagjinohet, por është një mekanizëm që i shërben këtij qëllimi”.

I pyetur nga gazetarët a do të ishte një situatë më e mirë për rajonin e Ballkanit  Perëndimor, nëse procesi i integrimit do të ishte më i shpejtë, Rama tha se “vizita e Kryeministrit të Holandës sot në Shqipëri ka edhe një rëndësi tjetër, që shkon përtej marrëdhënieve bilaterale mes Holandës e Shqipërisë, përtej gjithë çështjeve që u diskutuan, me vazhdimin e rrugëtimit të tij për në Shkup. Kjo rëndësi del në pah si prezencë e Holandës dhe vëmendjes së Mbretërisë së Holandës ndaj këtij rajoni si i tërë.
Ne e shikojmë Holandën si një prej vendeve që kemi shumë për të mësuar, si një nga vendet që përbën një histori suksesi fantastike dhe ku nevoja për të shkuar përpara është një shtysë e përditshme dhe nga ku ne kemi shumë për të marrë”.

Por, vijoi Rama, nga ana tjetër ky imazh, kjo fuqi e Holandës është shumë e rëndësishme për Ballkanin. “Është shumë e rëndësishme që Ballkani ta ndiejë pranë Mbretërinë e Holandës, ta ndiejë pranë qeverinë holandeze dhe për këtë arsye vizita e Kryeministrit ka këtë rëndësi përtej faktit që viziton Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut sot, kjo është një vizitë në rajon”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se, “ne kemi folur me kryeministrin holandez edhe për Procesin e Berlinit edhe për Ballkanin e Hapur edhe sa e nevojshme është që nismat që lindin nga nevoja për të shtuar komunikimin, bashkëpunimin brenda rajonit, të kenë sukses. Në këtë rast nuk do gjeja një arsye për ta fajësuar BE-në për sa ndodh sot, sepse procesi i integrimit dhe zgjerimit është proces i komplikuar, pasi BE ka hyrë në një fazë që ka shumë kompleksitet dhe nuk është e lidhur aspak me ndonjë refuzim apo hezitim për ta konsideruar Ballkanin Perëndimor pjesë të hartës së BE-së dhe pjesë të integruar plotësisht në BE-së në një moment të caktuar”.

Më tej Rama tha se, “ne kemi shumë nevojë për BE-në, BE-ja ka shumë nevojë për Ballkanin Perëndimor, BE-së nuk i duhet një Ballkan Perëndimor ku ndjenja e mërzisë apo tradhtisë nga ana e BE-së të prevalojë, nuk i duhet një Ballkan Perëndimor ku forca të tjera të gjejnë terren, sepse ne jemi brenda BE-së fizikisht. BE është i vetmi realitet në hartën e botës që ka një kufi të jashtëm dhe një kufi të brendshëm dhe brenda këtij kufiri të brendshëm është Ballkani Perëndimor. Është pjesë integrale e trupit të BE-së dhe procesi i integrimit është i pakthyeshëm, por shpejtësia e tij diktohet nga dinamika të tjera”.

Kryeministri Rama bëri të ditur se, “të gjithë në Ballkan edhe ata të cilët mund të perceptohen si potencialisht faktorë me një kapacitet destabilizues, e kanë kuptuar që destabilizimi nuk sjell asnjë të mirë as për vetë ata. Lufta në Ballkan nuk është një mësim që e kemi marrë nga librat, është një eksperiencë që e kemi jetuar të gjithë, dikush duke qenë i përfshirë drejtpërdrejtë dikush, si ne shqiptarët e Shqipërisë duke qenë i përfshirë indirekt, por sidoqoftë i përfshirë, sepse mjafton të kujtojmë se gjysmë milion refugjatë lufte erdhën nga Kosova për t’i ikur spastrimit etnik të Millosheviçit dhe ne ishim pjesë e kësaj gjëje, e kemi parë dhimbjen e luftës”.

“Nuk besoj se jemi në prag të shpërthimit të një konflikti, por besoj se këto janë simptoma të rrezikshme, të cilat duhen marrë me shumë seriozitet dhe besoj që nuk janë dy rrugë, siç e tha edhe kryeministri Rutte, nuk duhet të jetë o ‘Po’, o ‘Jo’ midis hapave të integrimit, por ndërmjet hapave të integrimit si proces formal negociatash duhet së bashku të krijojmë hapësira për t’i dhënë më shumë mundësi, grupeve të ndryshme të shoqërisë, të rinjve. Të rinjtë që mbarojnë shkollën e mesme në Tiranë, në Shqipëri apo dhe në zonën e Ballkanit, duhet të kenë mundësinë të mos shkojnë jashtë për të studiuar në universitetet e Evropës, por t’i kenë këtu mundësitë dhe ti gjejnë këtu universitetet e Evropës. Këtë gjë BE po e bën për veten e tij, me mbështetjen e qeverive të BE-së është krijuar një mundësi që universitetet të lidhen me njëra-tjetrën dhe të krijon sinergji fantastike, edhe pse në Evropë janë universitetet më të mira të botës, përsëri e kanë ndjerë të rrisin kushtet e bashkëpunimit”, nënvizoi Rama.

“Nëse edhe universitetet tona futen në këtë proces, është një arsye më shumë për t’u ndjerë të lidhur me BE dhe për t’u ndjerë pjesë e të njëjtës hapësirë dhe për të na ndihmuar ne për të ulur nivelin e një mërzie të natyrshme nga pamundësia për t’u ndjerë të barabartë me të tjerët”, tha Rama.

/k.s/e.xh/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPërfundim i shpejtë i reformës zgjedhore për të përmbushur rekomandimet e OSBE/ODIHR-it
Artikulli tjetërBalla bashkon politikën në Librazhd në 77-vjetorin e Çlirimit