Ballina Bota

FOKUS – Varvitsiotis & Varhelyi: BE-ja të jetë e besueshme në detyrimet ndaj Ballkanit Perëndimor

ATHINË, 22 shtator /ATSH-MIA/ – Bashkimi Evropian duhet të jetë konsekuent dhe i besueshëm në detyrimet ndaj Ballkanit Perëndimor dhe Greqia është e gatshme të ndërmarrë rol konstruktiv në procesin integrues të rajonit, deklaroi zëvendësministri i Jashtëm grek, Miltiadis Varvitsiotis në takimin me komisionerin evropian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, njoftoi sot Ministria greke e Punëve të Jashtme.

Varvitsiotis edhe njëherë përsëriti mbështetjen e fuqishme të Greqisë për zgjerimin e BE-së me vendet e rajonit, ndërkohë që informoi eurokomisionerin Varhelyi edhe për nismën e marrë në Selanik, ku Ballkani Perëndimor u përfshi në dialogun për të ardhmen e Evropës.

Sipas kabinetit të Varvitsiotisit, Varhelyi deklaroi se ishte i kënaqur nga nisma greke dhe e përshëndeti rolin aktiv të Greqisë në promovimin e idesë evropiane në Ballkan.

”Komisionerit Varhelyi i theksova se Greqia e mbështet fuqishëm perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. BE-ja duhet të jetë konsekuente dhe e besueshme ndaj tyre. BE-ja është më e fuqishme kur është e bashkuar”, shkroi Varvitsiotis në profilin e tij zyrtar në Twitter./ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKosovë, 5 humbje jete dhe 160 raste të reja me COVID-19
Artikulli tjetërKombëtarja e femrave, Shqipëria pëson humbjen e parë në transfertën belge