Kombëtarja e femrave, Shqipëria pëson humbjen e parë në transfertën belge

TIRANË, 22 shtator/ATSH/ Kombëtarja shqiptare e femrave ka luajtur kundër Belgjikës, në sfidën e dytë të vlefshme për kualifikueset e Botërorit “Australi – Zelandë e Re 2023”.

Vajzat kuqezi, të drejtuara nga tekniku shqiptar Armir Grima e nisën ndeshjen me këtë formacion: Doçi (c), Rexhepi, Hilaj, Curraj, Maliqi, Hamidi (Begallo 85’), Elezaj, Gjini, Maksuti (Flija 90’) Franja, Levenaj (Krasniqi 46’).

Në ndeshjen e zhvilluar në transfertë, në stadiumin “King Baoudoin”, ishin belget ato të cilat kaluan të parat në avantazh, që në minutën e 6-të të takimit me Cayman, ndërsa pas 20 minutash shënoi edhe Lea De Caigny, që dyfishoi shifrat.

Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat, me skuadrën kuqezi që krijoi disa raste, por nuk e gjeti dot rrjetën kundërshtare. Me fillimin e fraksionit të dytë të lojës, Grima vendos të hedhë në fushë Qëndresa Krasniqin, e cila zëvendëson Vanesa Levenaj, ndërsa pesë minuta para fundit të takimit, Sara Begallo zëvendëson Mimoza Hamidin në fushën e lojës. Në minutën e 90-të të takimit, Grima hedh në lojë Caitlin Flija, e cila zëvendëson Kristina Maksutin. Kundërshtaret shënojnë edhe pesë gola të tjerë në këtë pjesë të dytë, duke vulosur rezultatin final me shifrat 7-0.

Kjo ishte ndeshja e dytë për Kombëtaren e femrave, që merr kështu humbjen e parë ndaj një nga rivaleve më të forta të grupit, siç është Belgjika, teksa në ndeshjen e parë barazoi me rezultatin 1-1 me Kosovën në “Elbasan Arena”.

Shqipëria gjendet në vendin e pestë, me një pikë, ndërsa në vendin e parë renditet Norvegjia me gjashtë pikë të plota.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.