TIRANË, 15 janar/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve po vijon fushatën e informimit të bizneseve mbi procesin e Fiskalizimin, faza e parë e të cilit nisi zbatimin nga 1 janari i këtij viti.
Drejtoresha e përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj zhvilloi disa takime për përfaqësues të shoqatave biznesit dhe kontabilistët në Tiranë, për të shpjeguar hapat që duhet të ndiqen për të bërë pjesë e këtij procesi, ashtu si dhe përfitimet që Fiskalizimi sjell në ekonomi.
“Qëllimi i këtij takimi ishte informimi si dhe sqarimi i paqartësive dhe problematikave të hasura në fillimin e implementimit të këtij procesi të rëndësishëm”, bën të ditur DPT.
Reforma e Fiskalizimit krijon një mekanizëm të mbikëqyrjes në kohë reale, të pajisjeve fiskale që operojnë me para në dorë dhe atyre pa para në dorë.
Prej datës 1 janar, faturat që lëshohen për entet publike/shtetërore duhet të jenë fatura elektronike, të cilat shkëmbehen nëpërmjet platformës qendrore të faturave.
Ky është hapi i parë i përshtatjes me një sistem novator, që lehtëson dhe përshpejton proceset e punës dhe komunikimin me Administratën Tatimore.
Më datë 1 korrik 2021 do të nisë Fiskalizimi për transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve. Më datë 1 shtator 2021 do të nis për transaksionet me para në dorë nga tatimpaguesit pavarësisht përgjegjësisë tatimore apo qarkullimit vjetor të realizuar.
Fiskalizimi i faturave ka efekt pozitiv në të gjithë ekonominë e Republikës së Shqipërisë, por veçanërisht tek bizneset, pasi shkëmbimi i automatizuar i faturës elektronike shkurton kohë dhe është më i sigurtë.
Që prej 1 janarit kur nisi zbatimin procesi i Fiskalizimit, 351 ente publike janë fiskalizuar në të gjithë vendin, ku vetëm në qarkun e Tiranës janë 182.
Ndërsa, sipas të dhënave të bëra publike nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, deri tani numri i bizneseve që është pajisur me certifikatë elektronike në gjithë vendin është 2948, ndër to 1407 në Tiranë.
Në total llogariten 7600 biznese që nisin prej 1 janarit zbatimin e sistemit të ri të lëshimit të faturave tatimore, të njohur si Fiskalizimi. /j.p/r.e/























