Ballina Aktualitet

Forcat Ajrore të Shqipërisë në stërvitjen shumëkombëshe “Adriatic Strike 18”, në Slloveni

TIRANË, 8 qershor/ATSH/ – Një trupë e Forcave Ajrore të Republikës së Shqipërisë, në datat 3-9 qershor janë pjesëmarrëse në stërvitjen shumëkombëshe “Adriatic Strike”, që është duke u zhvilluar në disa rajone të Sllovenisë dhe jashtë saj.

Me dhjetra vende anëtare të NATO-s dhe vendeve partnere janë pjesëmarrëse në stërvitje.

Avionë, helikopterë dhe trupa ushtarake të tjera për një javë janë ushtruar së bashku, duke arritur rezultate të larta të ndërveprueshmërisë e të zbatimit të standardeve të nevojshme operacionale. Trupat shqiptare së bashku me një helikopter COUGAR kanë qenë pjesë e kësaj stërvitje që prej fillimit të saj.

Në kuadrin e Ditës së Vizitorëve të shquar, mjediset e Bazës Ajrore të Cerklje, Slloveni, u vizituan nga trupi diplomatik i akredituar në Slloveni dhe u informua për objektivat, skenarin, trupat pjesëmarrëse në stërvitje, si dhe ndoqi një pjesë të demonstrimeve ushtarake.

Ambasadori Pëllumb Qazimi, i shoqëruar nga atasheu i mbrojtjes të Shqipërisë në Slloveni, kolonel Ylli Pulaj, u takuan me trupat ushtarake shqiptare pjesëmarrëse në stërvitje dhe i përgëzuan për arritjet e tyre operacionale në një mjedis ndërkombëtar, sidomos për treguesit e ndërveprueshmërisë e të veprimit së bashku me struktura ushtarake të vendeve të tjera të Aleancës së NATO-s dhe të vendeve partnere.

/gj.mima/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKreu i Gjykatës Kushtetuese i nënshtrohet Vetingut, përfaqësohet nga avokati
Artikulli tjetërKroacia mbështet pa kushte hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE