Ballina Flash

Kosovë- KQZ sqaron shkaqet e mospërputhjes së numrit të votave dhe pjesëmarrësve në zgjedhje

PRISHTINË 12 shkurt/ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka sqaruar situatën në lidhje me mospërputhjen e numrit të pjesëmarrësve në zgjedhje dhe numrit të votave të fituara nga partitë politike.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se ka pasur mospërputhje të votave të subjekteve politike.Në një prononcim për KosovaPress, Elezi sqaroi se pse KQZ-së i kanë dalë më shumë se 33 mijë vota.

Ai tha se në ueb faqen e KQZ-së numri i pjesëmarrjes është i ngarkuar për rreth 800 mijë votues, ndërsa te rezultatet preliminare nëse mblidhet rezultati i të gjitha partive politike del që numri i votave është rreth 831 mijë.Kujtojmë, kryesuesi  i KQZ-së Kreshnik Radoniqi njoftoi të dielën mbrëma se softueri i numërimit të votave ka dështuar, duke mos dhënë më shumë detaje.

Numërimin e saktë e ka kërkuar edhe presidentja Vjosa Osmani menjëherë pas njoftimit për dështimin e softuerit.

Deri më tash janë numëruar 99.57 për qind, Lëvizja Vetëvendosje prin me 40.87 për qind, pason Partia Demokratike e Kosovës me 22.03 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.61 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Nisma me 7.46 për qind.

Dje ka filluar procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë. Në rezultatet preliminare nuk janë përfshirë votat me kusht, ato të personave me nevoja të veçanta dhe votat e diasporës. Ato do të numërohen në një fazë të mëvonshme pasi të përfundojë numërimi në qendrat komunale të numërimit.

/Kosovapress/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakINDONEZI – Erdogan: Krijimi i një shteti palestinez me integritet territorial nuk mund të vonohet më
Artikulli tjetërQeveria i hap rrugën aderimit të Shqipërisë në Konventën e zyrës Evropiane të Komunikacioneve (ECO)