Ballina Bota

KORE E JUGUT – Arrestohet presidenti i pezulluar Yoon Suk Yeol

SEUL, 15 janar /ATSH-DPA/- Presidenti i pezulluar i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol u arrestua sot për vendosjen e ligjit të luftës në dhjetor, njoftoi agjencia zyrtare e lajmeve “Yonhap”.

“Oficerët e policisë dhe stafi i zyrës kundër korrupsionit të Koresë së Jugut e shoqëruan Yoon sot në mëngjes në zyrën e prokurorit publik”,tha Yonhap.

Operacioni dukej se ishte paqësor pavarësisht shqetësimeve serioze të sigurisë.

Agjencia citoi Zyrën e Hetimit të Korrupsionit për Zyrtarët e Rangut të Lartë (CIO), të thoshte se urdhërarresti u ekzekutua në orën 10:33 të mëngjesit.

Kjo është hera e parë në historinë e vendit që një president në detyrë i Koresë së Jugut arrestohet.

Sipas Yonhap, hetuesit do të kërkojnë një urdhër për arrestimin zyrtar të presidentit brenda 48 orëve.

“Megjithëse është një hetim i paligjshëm, vendosa të pranoj të paraqitem në CIO për të parandaluar gjakderdhjen e shëmtuar”, tha Yoon në një videomesazh të regjistruar të lëshuar pas arrestimit të tij.

Gjykata Kushtetuese shtyu dje seancën e parë në procedurën e fajësimit ndaj Yoon për shkak se ai nuk ishte i pranishëm.

64-vjeçari, nëpërmjet avokatit të tij, kishte deklaruar se nuk kishte marrë pjesë për arsye sigurie.

Më 3 dhjetor, Yoon shpalli ligjin e luftës gjatë një mosmarrëveshjeje buxhetore me opozitën.

Në mesin e dhjetorit, ligjvënësit e larguan atë nga detyra deri në njoftimin e mëtejshëm me akuzat për shpërdorim detyre dhe rebelim, ndërsa Gjykata Kushtetuese aktualisht po shqyrton vendimin.

Yoon ka mbrojtur vendimin e tij duke deklaruar se ai kishte shpallur ligjin e luftës për të mbrojtur kombin nga “forcat anti-shtetërore” – që do të thotë kundërshtarët e tij politikë.

Për momentin, ish-ministri i Financave dhe zëvendëskryeministri Choi Sang Mok është në krye të çështjeve të shtetit. //a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak219 automjete i shtohen koleksionit me vlera të rralla historike
Artikulli tjetërQytetarët vizitojnë Reçakun në 26-vjetorin e masakrës