Ballina Bota

BERLIN – Gjermania do të dërgojë 60 raketa IRIS-T në Ukrainë me vlerë 60 milionë euro

BERLIN, 15 janar /ATSH-DPA/- Gjermania do të dërgojë 60 raketa shtesë IRIS-T në Ukrainë për të forcuar aftësitë e saj të mbrojtjes ajrore kundër sulmeve ruse.

Raketat me vlerë 60 milionë euro do të sigurohen nga stoqet e Forcave të Armatosura të Gjermanisë, ose Bundeswehr.

Për shkak të situatës së vështirë në Ukrainë, vendimi është marrë pa u zgjidhur plotësisht rifinancimi.

Vendimi vjen pas vizitës së ministrit gjerman të Mbrojtjes Boris Pistorius dje në Kiev, ku ai zhvilloi bisedime me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Ministri i Mbrojtjes e siguroi Zelensky për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të 23 shkurtit.

Pistorius tha gjithashtu se shpresonte se Gjermania do të gjente një mënyrë për të ofruar 3 miliardë euro shtesë për Ukrainën.

Negociatat për ndihmën për Ukrainën janë duke vazhduar pasi Gjermania nuk ka miratuar ende një buxhet për vitin 2025 – pas rënies së koalicionit qeveritar tripalësh, i cili shkaktoi zgjedhjet e ardhshme.

“Ky është vetëm një problem fiskal i qeverisë që duhet ta zgjidhim. Dhe ne po punojmë për këtë”, tha ai, duke shtuar se ishte optimist se do të gjendej një zgjidhje. //a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVengu: 12 ura të reja Bailey këtë vit, lehtësojmë jetën e banorëve në zonat e thella
Artikulli tjetër26 vjet nga Masakra e Reçakut