TIRANË, 24 dhjetor /ATSH/ 20 familje në Durrës të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 janë bërë me shtëpi të re në zonën e Spitallës.
Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale thekson se këto familje i përfituan apartamentet e tyre në një tjetër short që u zhvillua për lagjen e re në Spitallë.
Sako shton më tej se “shorteu do të vijojë edhe për të gjitha familjet e tjera që do të përfitojnë shtëpi në këtë lagje model nga pikëpamja urbane, me 85 pallate dhe 996 apartamente me standarde moderne”.
Lagjja e re urbane në Spitallë është e pajisur me të gjithë infrastrukturën e nevojshme, që nga vendet e parkimit, hapësirat e gjelbra dhe qendra të ndryshme shërbimi.
Zona e Spitallës në Durrës po transformohet rrënjësisht vitet e fundit, falë projekteve madhore të rikualifikimit urban, të cilat ofrojnë standarde moderne të infrastrukturës, dhe përmirësim të ndjeshëm të jetës së përditshme të banorëve.
/r.e/
































