Ballina Flash

Fabrika e municioneve, Kosova marrëveshje me prodhuesin turk

PRISHTINË, 16 dhjetor/ATSH/ Qeveria e Republikës së Kosovës ka nënshkruar sot marrëveshje me prodhuesin shtetëror turk të industrisë së mbrojtjes “Makine ve Kimya Endüstrisi” për funksionalizimin e fabrikës së municioneve në Kosovë, e cila do të prodhojë kalibra të ndryshëm të municioneve sipas standardeve të NATO-s.

Zyra e Kryeministrit njofton se krahas makinerisë prodhuese, në kontratën e nënshkruar sot, parashihet edhe trajnimi i stafit, mirëmbajtja për një kohë të caktuar, dhe pajisja me sisteme për testim të cilësisë dhe kalibrim.

“Pas funksionalizimit, Fabrika do të operojë si ndërmarrje publike dhe si markë 100% vendore e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

“Ne kemi bërë ushtrime bashkë me ushtrinë e Turqisë, kemi blerë pajisje, municione dhe armatime që prodhon Turqia, e tash është koha që edhe të prodhojmë bashkë në vendin tonë”, citohet Kurti në komunikatë në takimin me delegacionin nga MKE që u zhvillua pak para ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes.

/Kosovapress/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSHBA – Trump: Do të flas me Putinin dhe Zelenskyn sepse masakra në Ukrainë duhet të marrë fund
Artikulli tjetërBRUKSEL – BE avancon projektin e ri të rrjetit satelitor