Ballina Aktualitet

Rama apel gjykatësve: Zjarrvënia deri në 15 vite burg, jo më mosndëshkim për këtë krim barbar

TIRANË, 23 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama përsëriti sot apelin ndaj gjykatësve në rrethe, që të mos vazhdojnë me avazin e tyre të vjetër të mosndëshkimit të krimit barbar të zjarrvënies, i cili në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë dënohet deri 15 vjet burg.

Rama ndau në rrjetet sociale momente nga kapja e autorit të zjarrvënies në kodrat e Kurbinit, vlerësoi punën e Policisë së Shtetit në kapjen e autorëve të këtyre krimeve.

“Një bravo e madhe për Policinë e Shtetit që këtë verë u është qepur këmba-këmbës zjarrvënësve, duke arritur t’i kapë dhe çojë prapa hekurave, si në rastin e kriminelëve që i vunë zjarrin pyllit në Laç, për të cilët përsëris, si për gjithë të arrestuarit e tjerë, apelin në adresë të gjykatësve në rrethe, që të mos vazhdojnë me avazin e tyre të vjetër të mosndëshkimit të një krimi barbar si ky, i cili në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë dënohet deri 15 vjet burg”, tha Rama.

Rama vlerësoi po ashtu edhe punën e Agjencisë së Mbrojtjes Civile, e cila sipas tij, e ka rritur ndjeshëm nivelin e performancës gjatë këtij sezoni turistik.

“Një falënderim i përsëritur për trupat e Agjencisë së Mbrojtjes Civile, e cila e ka rritur ndjeshëm nivelin e performancës gjatë këtij sezoni turistik, duke e mbrojtur me profesionalizëm e shpirt sakrifice pasurinë e paçmueshme natyrore dhe ulur në mënyrë të konsiderueshme dëmet potenciale të këtyre krimeve të neveritshme në verbërinë, shpirtligësinë, marrëzinë e tyre”, tha ai. /m.m/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakWisner-Hohman: Bashkëpunim i ngushtë në mbështetje të anëtarësimit të Shqipërisë në BE
Artikulli tjetërRama: Parqet dhe kishat e rilindura në Vlorë, Sarandë e Delvinë presin turistët