TIRANË, 21 qershor /ATSH/ Policia Durrësit dhe ajo e Lezhës kanë finalizuar dy operacione për goditjen e veprimtarisë së organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit.
Në një njoftim për mediat, Policia e Lezhës bëri me dije sot, se ka finalizuar fazën e tretë të operacionit policor të koduar “Basti i fundit”.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, të mbështetura nga inteligjenca policore, si dhe në vijim të operacionit të koduar “Basti i fundit”, kanë ushtruar kontrolle në ambientet e një lokali jashtë funksionit, në katin e parë të një pallati në lagjen “Drita”, ku dyshohej se organizoheshin lojëra fati me kompjutera, në kundërshtim me ligjin. Nga kontrollet, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 8 kompjutera që shërbenin për këtë veprimtari të kundërligjshme.
Si rezultat i veprimeve hetimore për këtë rast, u identifikua dhe u shpall në kërkim poseduesi i dyshuar i këtyre pajisjeve, shtetasi A. S.(alias J. P.) 45 vjeç, banues në Mamurras, njëkohësisht, pronari i lokalit ku u gjetën kompjuterat. Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij”, njofton Policia e Lezhës.
Policia e Lezhës sqarons se, gjatë 2 fazave të mëparshme të operacionit “Basti i fundit”, janë vënë në pranga 3 shtetas, janë proceduar penalisht 4 shtetas, si dhe janë sekuestruar 13 kompjutera, 2 tavolina pokeri, 2 valixhe me çipsa, celularë dhe pajisje të tjera që shërbenin për organizimin e kundërligjshëm të lojërave të fatit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.
Edhe Policia e Durrësit, ka zhvilluar një operacion të ngjashëm. Në njoftimi e saj, Policia e Tiranës bënë të ditur se ka arrestuar një person dhe proceduar një tjetër në gjendje të lirë, gjatë një operacioni të zhvilluar në Kavajë për goditjen e veprimtarisë së basteve të paligjshme.
Sipas policisë së Durrësit, të ndaluarit organizonin prej 3 muajsh aktivitetin e vendosjes së basteve të paligjshme në një lokal në Golem.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë kanë intensifikuar kontrollet në subjektet tregtare në zonën bregdetare të rrethit, në kuadër të operacionit policor të koduar “Fati i lojërave”, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të organizimit të lojërave të ndryshme të fatit, në kundërshtim me ligjin. Si rezultat, u konstatua një tjetër rast i kësaj veprimtarie, për të cilin u arrestua në flagrancë shtetasi: E. M., 48 vjeç, banues në Tiranë, si dhe u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për shkak të moshës, për një 17-vjeçar.
Të dy këta shtetas u kapën në flagrancë, në ambientet e lokalit ku punonin, në Golem, teksa vinin baste sportive, nëpërmjet disa celularëve. Nga veprimet hetimore të kryera për këtë rast, dyshohet se këta shtetas e kryenin këtë veprimtari të kundërligjshme, prej rreth 3 muajsh. Në cilësinë e provës materiale, këtyre shtetasve iu sekuestruan 3 celularë që dyshohet se i shërbenin vënies së basteve”,- përfundon njoftimi i Policisë së Durrësit.























