TIRANË, 10 dhjetor /ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla dha sot një mesazh me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.
“Sot është Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, në respekt të miratimit nga OKB, më 10 dhjetor 1948, të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Kësaj dite reflektimi i parapriva me një nismë ligjore. Si deputete, dje dorëzova në Kuvend projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9669, datë 18.12.2006, “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, të ndryshuar”, u shpreh Nikolla.
“Në këtë projektligj propozoj ngritjen e institucionit të Komisionerit për mbrojtjen nga dhuna me bazë gjinore dhe dhuna në marrëdhëniet familjare. Propozova gjithashtu që, për të koordinuar më mirë masat e programet mbrojtëse, të ngrihet Njësia e Posaçme për luftimin dhe parandalimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje”, theksoi Nikolla në mesazh.
“Vizioni i institucioneve të reja do të jetë parimi i Xhefersonit se të drejtat e grave, si pjesë integrale e të drejtës së jetës, lirisë dhe arritjes së lumturisë, janë të patjetërsueshme, as mund të jepen, as mund të merren, as mund të cenohen. 10 dhjetori është për të gjithë një ditë reflektimi e beteje me vetveten”, shkruan në mesazhin e saj Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.























