TIRANË, 31 gusht /ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot në Kryeministri një dëgjesë publike për problematikën e basteve online në të zezë dhe propozimin për formalizimin e tyre.
Rama u shpreh se, kjo dëgjesë publike vjen si rezultat i një presioni pozitiv që vazhdon prej shumë muajsh nga ana e federatave sportive në drejtim të qeverisë, me kërkesën për të konsideruar formalizimin e basteve sportive.
“Ne, natyrisht që e kemi ndjekur këtë debat që ju keni hapur. Ministrja e Arsimit dhe Sportit ka bërë edhe komunikime me ju për të dëgjuar nga afër shqetësimin, por edhe pretendimet tuaja. Pa dyshim që këtu bëhet fjalë për një sasi potenciale të ardhurash që do të ishin shumë të vlefshme për aktivitetin sportiv, qoftë për federatat e shumësportshit, qoftë për FSHF-në, por nga an tjetër kemi një kontekst, i cili duhet kuptuar dhe për të cilin unë do them dy fjalë”, u shpreh Rama.
“Ne vendosëm të ndalojmë krejtësisht lojërat e fatit, duke pasur parasysh një situatë absolutisht dramatike, me kërpudhëzimin e gjithë infrastrukturës së lojërave të fatit, me pafundësinë e sallave të bingove të atyre makinetave, e të ekraneve, basteve. Një shqetësim social posaçërisht për më të vegjlit, por edhe me situata familjare dramatike të katandisura deri në tragjedi. Dhe për hir të së vërtetës ne besojmë që ka qenë një vendim absolutisht i drejtë dhe i duhur”, theksoi Rama.
“Në ata kohë debati i bërë në fakt kishte mbetur përpara vendimmarrjes vetëm tek bastet sportive online dhe ishte një debat me pro dhe kundra, brenda nesh. Ishte një debat i nxitur edhe nga fakti që të gjithë partnerët me të cilët ne e përgatitëm atë vendimmarrjes si ekspertë ndërkombëtarë na këshillonin që këtë pjesë ta konsideronim si një pjesë jashtë vendimmarrjes së përgjithshme, duke na paralajmëruar për rrezikun e madh të lulëzimit në të zezë të kësaj pjese si rezultat i teknologjisë. Por situata në atë moment ishte e tillë dhe për hir të së vërtetës edhe nevoja për të qenë bardh e zi ishte e tillë, që ne nuk e morëm në konsideratë as këtë fakt, pa llogaritur edhe gjithë batërdinë e krijuar në debatin politik, ku u hodhën lloj-lloj pretendimesh absolutisht pa asnjë bazë për gjoja përpjekjen për të devijuar të ardhurat në drejtime të caktuara”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se, “kjo periudhë kohë na ka dhënë mundësinë t’i shohim të dyja anët e medaljes, të shohim edhe anën pozitive, të shohim edhe anën negative, në aspektin e pikërisht të lulëzimit të këtij aktiviteti online në të zezë, ku Policia e Shtetit dhe këtu është bashkë me ne edhe zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, i cili në detyrën e mëparshme ka mbuluar edhe këtë pjesë, përpjekjen për të çuar përpara ligjit organizatorët dhe pjesëmarrësit në këtë aktivitet, një përpjekje, e cila ka pasur rezultatet e veta, por e cila ka hasur njëkohësisht edhe në vështirësitë e veta objektive”.
“Sot unë jam shumë i gatshëm të bëjmë këtë diskutim publik. Ne brenda nesh kemi diskutimin tonë. Ministria e Arsimit dhe Sportit natyrisht ka tendencën të jetë më shumë në krahun tuaj për shkak se të ardhurat nga një aktivitet i formalizuar do të ishin të konsiderueshme në funksion të sportit, në funksion të rinisë, në funksion të kulturës. Ministri i Brendshëm është këtu, sepse siç thashë, kjo kornizë që ne kemi e ka përfshirë fuqimisht Policinë e Shtetit në përpjekjen për t’i parandaluar dhe për t’i çuar përpara ligjit më pas organizimet dhe organizatorët e lojërave, e basteve online në të zezë, ku për hir të së vërtetës ka pasur dhe ka një pjesëmarrje aktive të disa elementëve të skeduar si profile të larta kriminale. Dhe Drejtori i Agjencisë së Lojërave të Fatit, e cila sigurisht mbulon pjesën që është ligjërisht e qartë dhe nuk ka kompetencë të ndjekë dhe nuk ka fushë të përgjegjësisë së vetë të ndjekë aktivitetin ilegal, që është kompetencë dhe përgjegjësi e Policisë së Shtetit, por që ka sigurisht të gjithë ekspertizën e vet”, tha Rama.
/r.e/























