Ballina Ekonomi

Vonesat në fluturime, rekord muaji gusht

TIRANË, 15 Shtator/ATSH/- Muaji gusht i këtij viti shënoi shifrën më të lartë të vonesave dhe anullimeve të fluturimeve nga dhe drejt “Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, të Tiranës.

Nga të dhënat zyrtare që Autoriteti i Aviacionit Civil shqiptar disponon kompania me numrin tejet të lartë të vonesave vijon të mbetet “Fly Ernest” me 10 anulime në 31 ditë dhe me vonesa që në shifra shkojnë në 19 mbi 3 orë por dhe disa mbi 6 orë. Kompania e dytë me më shumë vonesa renditet “Albawings” me 7 vonesa mbi dy orë.

Prej 10 muajsh Autoriteti i Aviacionit Civil i jep një vëmendje të madhe të drejtave të pasagjerit, duke hapur një drejtori të dedikuar që asiston pasagjerët në plotësimin e formularëve të ankimimit për vonesat mbi 3 orë dhe anulimet e palajmëruara.

Duke u bazuar edhe në rregulloret europiane, e vetmja mënyrë që qytetarët të përfitojnë 250 euro kompensim për dëmin e shkaktuar nga kompanitë, është plotësimi i formularëve.

“Aktualisht në 10 muaj, janë plotësuar gjithsej 900 formularë ankimimi për 1500 persona. Nga kontaktet e vazhdueshme që AAC ka me kompanitë ajrore, formularët janë duke u trajtuar dhe për një periudhë që varion deri në 6 javë, do të jenë edhe shifrat konkrete”, bën të ditur AAC.

AAC i rekomandon edhe njëherë pasagjerët që të ndjekin me vëmendje dhe të plotësojnë saktësisht formularët e ankimimit./k.s/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNë korrik 345,910 pasagjerë udhëtuan përmes Rinasit
Artikulli tjetërFOTO/ Belshi i rilindur tërësisht, destinacion i rëndësishëm turistik