Ballina Flash

Berisha paraqitet në SPAK: Çdo protestues i burgosur do të dëmshpërblehet me trefishin e ligjit

TIRANË, 2 nëntor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u paraqit këtë të hënë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” në lidhje me dosjen “Partizani”.

Gjatë fjalës së tij për gazetarët jashtë ambienteve të prokurorisë, Berisha tha se SPAK ka amnistuar, krimin elektoral të zgjedhjeve të 11 majit.

“Edhe një herë dua të denoncoj krimin monstruoz të amnistisë nga ky institucion partiak të krimit elektoral. Krimi elektoral në Shqipëri është sot i certifikuar me dokumentet më themelore të institucioneve ndërkombëtare që merren me zgjedhjet. Krimi elektoral në Shqipëri ka arritur formën më të egër, më barbare, atë që quhet parti-shtet. Institucionet më serioze ndërkombëtare, ODIHR, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dhe Parlamenti Evropian kanë gjetur se zgjedhjet e 11 majit, partia dhe shteti, institucioni dhe strukturat partiake u shkrinë në një”, tha Berisha.

Berisha tha më tej se Partia Demokratike ka paraqitur dokumente dhe prova për shkeljet zgjedhore pranë vëzhguesve ndërkombëtarë. Ai përmendi gjithashtu rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe raportet e institucioneve evropiane.

“Sigurisht që zgjedhjet janë vëzhguar nga qindra vëzhgues ndërkombëtarë. Por po ju them këtu, që ditën që kanë vënë këmbën në Shqipëri dhe gjer sa janë larguar, Partia Demokratike ka paraqitur para tyre me qindra dokumente të dhunimit të ligjit elektoral shqiptar dhe ndërkombëtar. Këto bënë që, që në raportin e parë të thuhet se linja midis partisë dhe institucioneve shtetërore është fshirë. Nuk kishte më dallim midis partisë dhe institucioneve shtetërore”, tha Berisha.

Në vijim, Berisha foli edhe për protestat studentore, ku theksoi se PD-ja dhe Forumi Rinor i saj kanë mbështetur lëvizjen e studentëve dhe bojkotin e universiteteve e gjimnazeve.

Ai tha se protesta duhet të ruajë karakterin qytetar dhe se demokratët do të marrin pjesë pa simbole partiake.

“Partia Demokratike, strukturat e saj të forumit rinor, ne kemi një forum rinor, kemi një organizatë partnere në statutin tonë, që është Forumi Rinor i Partisë Demokratike, i cili ka degën e saj në universitete, kjo degë me degët kanë luajtur një rol shumë të madh në bojkotin e universiteteve dhe gjimnazeve të mbarë vendit, para se sindikata të shpallte bojkotin e universitetit”, tha ai.

Kreu i PD tha se çdo protestues që ka vuajtur burg për shkak të pjesëmarrjes në protesta do të dëmshpërblehet me trefishin e masës së parashikuar nga ligji.

“Ata që janë dënuar me arrest shtëpie dhe burg, i garantoj se çdo ditë burg do të dëmshpërblehet me trefishin e ligjit! Çdo ditë! Është burg për lirinë, për dinjitetin e shqiptarëve!”, tha ai.

/m.q/a.f/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOKUS – Mbi 200 arrestime në Gjermani pas protestave të Gjeneratës Z
Artikulli tjetërFilmi i animuar “Zemërimi i shkronjave” i nënshtrohet restaurimit